TIRANE, 21 gusht 2013 – Vepra “Dy gladiatorët”e skulptorit të popullit Janaq Paço (1914-1991), planifikuar për t’u vënë në Amfiteatrin e Durrësit, rrezikohet të prishet. Dhurata Hamzai e së përditshmes shqiptarja.com ka intervistuar një mik të ngushtë të familjes dhe të birin e skulptorit për ngjarjen e rëndë, që mund të prekë kulturën shqiptare. E përditshmja mendon se vepra që ndodhet në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit (QRVA) mund të zhduket pasi trualli ku ndodhet QRVA-ja është dhënë për ndërtim godine. “Dyrrah”-u, më 21 gusht 2013, në orën 11,30, foli në telefon me zëvendësministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, piktorin dhe kritikun e artit z. Abaz Hado. Ai tha se ka rënë dakord me kryebashkiakun e Durrësit z. Vangjush Dako për ta vendosur në Amfiteatrin e Durrësit që kur ishte ministër z. Aldo Bumçi. Sipas Hados, Ministri aktual z. Visar Zhiti dhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha kanë planifikuar ta vendosin në Tiranë. Hado nuk beson se do të dëmtohet vepra, pasi ajo do të zhvendoset së shpejti. Sipas zëvendësministrit, i biri i skulptorit, duke qenë se banon jashtë shtetit, ndoshta nuk është i informuar plotësisht për hapat e ndërmarrë deri tani. “Dyrrah”-u riboton shkrimin e shqiptarja.com për arsye se bëhet fjalë për një vepër të konceptuar për t’u vendosur në Durrës, ruajtur në Durrës dhe katandisur në Tiranë. /th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
DELIJORGJI RREZIKON SKULPTURËN BOTËRORE, ZHDUK QENDRËN E ARTIT
Nga Dhurata Hamzai
Përzënia me forcë e 37 familjeve rome nga kampi i tyre, nga pronari i truallit të ndërtimit Mihal Delijorgji, qëlloi të ishte si Kutia e Pandorës. Njëri problem nxjerr tjetrin… Qendra më e rëndësishme e realizmit dhe derdhjes së veprave të artit do të zhduket dhe rrafshohet nga kompania e ndërtimit të Mihal Delijorgjit. Të parët që janë alarmuar për fatin e kësaj qendre të rëndësishme janë familjarët e njërit prej mjeshtërve të mëdhenj të rilindjes dhe modernitetit të skulpturës shqiptare, skulptorit Janaq Paço (1914-1991). Vepra “Dy gladiatorët” që është planifikuar për t’u vënë në Amfiteatrin e Durrësit, aktualisht ndodhen në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit në sheshin e ndërtimit që ka marrë në pronësi Deligjorgji. Familjarët dhe disa dashamirës që strehojnë prej vitesh veprat e skulptorit të madh rrëfejnë se janë gati të hidhen në tokë “Dy gladiatorët”, të cilët janë një legjendë më vete e diskriminimit të kryeveprave të artit shqiptar nga institucionet e shtetit. “Ato mezi janë arritur të restaurohen, të mblidhen copat dhe të bëhen prej betoni, për të mos zënë në gojë që u lanë gjysmë të realizuara se u derdhën në beton”, shprehet Spartak Hasamataj, mik i ngushtë i familjes Paço, i cili kujton se “Ministria e Kulturës premtoi se do t’i vinin në shesh për 100-vjetorin, s’i vunë”. U deshën të vinin përvjetorë të tjerë, prapë premtime e prapë s’i vunë, tregon Hasamataj, duke shtuar se “tani pritet të shkatërrohen sepse rreziku është prezent”. Spartaku, në prani të djalit të skulptorit Janaq Paço, pohon se “Dy gladiatorët” i ka zili edhe bota dhe duhen vendosur në qendër të populluar por të paktën të vendosen atje ku ka pasur dëshirë Janaqi, në vendin për të cilin janë bërë”. Hasamataj që ndihmon familjen duke ruajtur në ambientet private të tij disa nga veprat e skulptorit të njohur, thotë ndër të tjera se “as Galeria Kombëtare e Arteve, as Ministria e Kulturës nuk tregon kujdesin më të vogël për këtë emër të madh të skulpturës shqiptare”. Duke treguar disa nga bocetet që ruan, Hasamataj shprehet se “Të mos merrem me kioskat dhe lokalet që janë një gangrenë më vete, por të kthejnë sytë edhe nga veprat e artit se janë duke u shkatërruar. Po shkatërrojnë një memorie të kombit, histori të artit shqiptar dhe nëse nuk i ruajmë, atëherë le t’ua lëmë vendin zaptuesve të terreneve t’i rrafshojnë”. Ndërkohë, i biri i Janaq Paços, Klitoni, sapo është kthyer Italia. Duke folur për “Shqiptarja.com” shprehet se është tepër i shqetësuar për fatin e njërës prej kryeveprave të të atit, që siç do ta mësojmë nga ai dhe të intervistuarit e tjerë, tashmë është kthyer në një legjendë të shpërfilljes së shtetit nda vlerave të artit kombëtar.
Kliton, çfarë pengesash keni hasur për mbrojtjen e krijimtarisë së babait tuaj?
-Në fakt të gjitha veprat e babait tim janë të sistemuara në mënyrë private. Disa janë në shtëpinë time dhe tek miqtë si Spartaku, etj, që na i ruajnë në mirëbesim. Veprat e babait tim nuk janë ekspozuara dhe ne nuk kemi mundësi financiare që t’i ekspozojmë, por mundohemi t’i ruajmë në këto kushte që kemi. Megjithatë, janë vënë në dijeni ministria dhe Galeria Kombëtare e Arteve, e cila edhe vetë disa vepra që i ka pasur në koleksionin e saj, nuk ka mundur që t’i ruaj. Më urgjente është kryevepra e dy gladiatorëve, e cila rrezikon të shkatërrohet bashkë me shkatërrimin e qendrës së artit, institucionit që i ruan dhe i derdh skulpturat.
Kur u derdhën në beton dhe nga cilat formate u ribënë?
-“Dy Gladiatorët” filluan të restauroheshin me interesimin e ministrit Ylli Pango, që siç dihet iku për ato probleme që i dolën. Ai të paktën u interesua dhe dha një fond, u derdhën në beton artistik janë që nga ajo kohë të ruajtura atje, mirëpo kushte shumë të këqija. Rrezik që çdo natë të thyhen nga keqbërësit. Ne kemi sensibilizuar edhe ministrat e tjerë që kanë ardhur pas Pangos, Adrian Turkun, Aldo Bumçin deri tek Visar Zhiti, të cilët gjithmonë na kanë premtuar, na kanë pritur mirë dhe s’kanë bërë asnjë përpjekje për t’i dhënë drejtim kësaj pune. Nuk kanë caktuar asnjë lloj fondi, megjithëse ne i kemi dhënë edhe dhuratë Ministrisë së Kulturës disa gjëra personale nga babai dhe megjithatë kjo ministri me pesë ministrat që kanë ardhur pas Pangos nuk ka bërë asgjë. Tani na njoftojnë se ka ardhur pronari i truallit atje dhe kompania e Mihal Delijorgjit do ta prishë këtë institucion, duke parë punët e veta dhe nuk ka ndërmend të interesohet për këto vepra arti. Nuk flas nga pozicioni i të birit, por të respektohen sepse është investuar për to. Janë vepra artistike dhe duhet të vendosen tek vendi që iu takojnë.
Çfarë dhurate nga veprat e Janaq Paços posedon Ministria e Kulturës?
-Ne bëmë një dhuratë simbolike, një projekt të qendrës së Tiranës që kishte vizatuar me dorë im at me një koncept të bukur për Tiranën dhe ajo është në sallën mbledhjeve të Ministrisë së Kulturës. Mbase ata nuk kishin fonde ta blinin, por ne ia dhuruam të mbetet.
Le të kthehemi tek gjendja e “Dy gladiatorëve” tek qendra e artit. Sa vjet kanë “Gladiatorët” atje?
-Gladiatorët kanë mbi katër vjet që kur ishte Ylli Pango. I gjetëm në muzeun arkeologjik të Durrësit dhe kemi qenë me fat që i gjetëm të strehuara atje. Madje aty ishin lënë në ruajtje dhe të drejtën e tërheqjes e kishim ne si familje. Ata të Durrësit nuk donin që të vinin në Tiranë. Ekzistonte një farë xhelozie pozitive për këtë vepër në Durrës, sepse një ide e Ylli Pangos ishte të vendoseshin në Tiranë në një ambient të ministrisë, por atje ishin si të mbytura. Nuk kishin hapësirën që të përshtateshin tamam në hyrje të amfiteatrit të Durrësit. Dihet që çdo vepër arti që kur nis të realizohet shihet në perspektivën se ku do t’i vësh. Skënderbeu i Krujës është bërë që shihet mali. Në kohën e demokracisë këto vepra i kishim në galerinë e arteve, por ajo na i nxori përjashta se nuk ishin të inventarizuara në emër të GKA-së. I çuan në Durrës dhe aty na i ruajtën me mirëbesim. Më vonë u kujtuan këta të Ministrisë së Kulturës se nisi një sensibilizim nga studiuesit e artit që iu bënë me dije vlerat. Ne shkuam, i morëm prapë privatisht nga Durrësi dhe i strehuam në Tiranë, i formatuam me skulptorët Genc Hajdarit dhe Bujarin që janë dashamirësit e babait tim. Ata i riparuan, i derdhën në allçi dhe bënë kopjet dhe i derdhën në çimento të bardhë, siç vendosi ministria. Mirëpo u harrua kjo punë. Edhe kur ka qenë rasti i parazgjedhjeve të 23 qershorit, që u interesua edhe bashkia me kryetarin Lulëzim Basha me ministrin Visar Zhiti, ku insistoi motra ime, ata i premtuan se do ta caktonin vendin, por ja s’u gjendkan dot dy gropa për t’i vënë në publik. Mirë që nuk e bënë këtë, siç e meriton vepra, por u la të degradojë dhe tani mund të bëhet edhe zhdukja fizikisht nga njerëz të papërgjegjshëm.
Çfarë përgjigje ju jep Ministria e Kulturës, ndërkohë që qeveria ia ka dhënë lejen ndërtuesit Delijorgji që të prish objektin ku ruhen veprat?
– Ministria jep përgjigje se nuk ka fonde dhe nuk do të bëjë asgjë.
Po a nuk është ai projekti i saj i investuar nga ajo?
-Po, por u la në gjysmë të rrugës. Unë lutem të ndihmojë kjo ministri që do vijë, por frika është të mos prishen sa të vijë një figurë tjetër në drejtim që të jetë më sensibël e që do të ruajë dhe ekspozojë veprat e Janaq Paços
Keni biseduar me drejtorin e qendrës së artit?
– Kam folur, por ai drejtor duket se nuk ka gjë në dorë. Ai nuk mund të na japë përgjigje se ku do të shkojnë “Dy gladiatorët”.





