Teuta po mendon për ndeshjen e radhës në kampionat, atë me Skënderbeun, që dje u eliminua nga Kupa e Shqipërisë. Të dielën në Korçë do të jetë një duel mjaft interesant, me dy skuadrat që duan një vend në Kupat e Europës. Por, duket se durrsakët me barazimin që kanë marrë me Luftëtarin, i kanë vështirësuar pozitat për vendin e tretë.

Trajneri Bledi Shkëmbi është duke e përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme takimin me juglindorët. Për këtë takim do të jetë i gatshëm edhe qendërmbrojtësi Ditmar Bicaj, i cili pritet të luajë nga minuta e parë.

Mirëpo, përveç Florent Avdylit që është i pezulluar për kartonë, në Durrës janë në ankth, pasi Armando Vajushi dhe Bubakar Traore mbeten në dyshim për këtë takim. Ata janë të dëmtuar dhe gjendja e tyre do të shihet deri 24 orë para ndeshjes së të dielës. Ndërkohë, stërvitja e djeshme u zhvillua në kompleksin “Olympic Park” mes ritmit dhe përkushtimit të lartë të futbollistëve.

Në fillim u punua më tepër me ushtrime fizike dhe më pas u kalua te loja me top. Atmosfera brenda grupit të futbollistëve është pozitive dhe nuk mungon optimizmi dhe dëshira për t’u rikthyer te fitorja në kampionat. Ndaj Skënderbeut është një ndeshje direkte në luftën për Europën dhe ndoshta edhe një pikë mund të vlejë për durrsakët.

Synimi i Teutës është të rikthehet në vendin e tretë, një pozicion ky që të kualifikon direkt në Ligën e Europës. Aktualisht durrsakët janë me pikë të barabarta me Flamurtarin e vendit të tretë, por vlonjatët qëndrojnë më lart për shkak të ndeshjeve direkte.