Ish-drejtori i Arkivës në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi, ka publikuar të dhëna tronditëse në lidhje me tollonat e ushqimeve të cilat jepeshin në kohën e diktaturës komuniste.

Në një postim në profilin e tij në ‘Facebook’, Dervishi shkruan se në Elbasan në vitin 1985 nga nevoja për mish janë ngrënë qen dhe mace. Sipas historianit, kjo ishte periudhë e një varfërie ekstreme, pasi as në kushte lufte e urie shqiptarët nuk kanë ngrënë qen e mace.

Kastriot Dervishi shkruan se sheqeri, sapuni, vajguri dhe madje edhe kripa ishin tejet të racionuara, nuk flitej për mish e sallam.

POSTIMI I PLOTË: 

Tolloni i kategorisë “F”

Siç edhe dihet, regjimi komunist i fukarallëkut, urisë dhe mizerjes, me triska e nisi dhe me triska e bitisi sundimin e tij. Asnjë blerës nuk mund të siguronte mallin pa paraqitur tollonin, të cilën e merrte në këshillin popullor të lagjes pasi ishte hetuar mirë e mirë e kaluara e tij.

Kjo është triska e kategorisë “F”, për ata që punonin në fshat, por jo për fshatarët e kooperativave, të cilët nuk e gëzonin të drejtën e tollonit. Siç edhe mund të shihet, sheqeri, sapuni, vajguri dhe madje edhe kripa ishin tejet të racionuara. Nga mungesa e sapunit, shqiptarët kishin edhe probleme higjiene.

Një familje fshatari merrte në atë kohë 2 kg mish në vit, një rekord historik ky që nuk ka pushtues që ia ka vendosur shqiptarit.

Kur regjimi hyri në fazën e fundit të lajthitjes së tij që e çoi në shkërmoqje ishin të racionuara dhe me tollon: mishi, sallami, djathi, veza, orizi, fasulja, kafeja, veza, etj. Për qumështin e kosin nuk paraqitej tollon, pasi tregu nuk furnizohej rregullisht.

Tolloni jepej për një muaj. Zakonisht në rastin më të mirë, një familje me 4 persona merrte 2 kg mish, 30 kokrra vezë dhe 2 kg djathë.

“Njeriu i ri” i socializmit u shpërfytyrua aq shumë saqë në vitin 1985 nga nevoja për mish, p.sh. në Elbasan janë ngrënë edhe qen e mace. As në kushte lufte e urie shqiptari nuk ka ngrënë qen e mace.