*Policia Rrugore e Durrësit, 24/7 në terren, me makina inteligjente, Drager-a dhe AquilaScan, për të rritur parametrat e sigurisë rrugore dhe për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja për jetën.

Drejtonin në kushtet e errësirës, automjetet, nën efektin e lëndëve narkotike, arrestohen në flagrancë 3 shtetas që përbënin rrezikshmëri për përdoruesit e rrugës. Në pranga kanë rënë edhe 3 shtetas të tjerë, pasi drejtonin automjetin përkatës, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor.

Shërbimet e Qarkullim Rrugor të DVP Durrës, në vijim të monitorimit të çdo aksi të qarkut, me pajisje bashkëkohore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, bënë evidentimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:

-L. M., 29 vjeç, M. Ç., 26 vjeç dhe S. Z., 20 vjeç, të tre banues në Durrës, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Këta shtetas u evidentuan në akse të ndryshme të Durrësit, duke drejtuar automjetin përkatës, në mënyrë të parregullt. Shërbimet e Policisë, në vijim të veprimeve, i kanë testuar të tre drejtuesit, me pajisjen drogë-testuese AquilaScan dhe të tre kanë rezultuar se e drejtonin automjetin përkatës, nën efektin e lëndëve narkotike.

Në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, u vunë në pranga shtetasit:

  • A. B., 64 vjeç, banues në Tropojë dhe E. F., 47 vjeç, banues në Durrës, pasi u kapën duke drejtuar automjetin përkatës, në gjëndje të dehur;
  • C. Sh., 46 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi dhe të papajisur me targa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Monitorimi i çdo aksi të qarkut, me pajisjet e teknologjisë bashkëkohore, vijon.