Qetësia që e karakterizon këtë periudhë plazhin e Durrësit në ditë të zakonshme, nuk do të vijojë për shumë gjatë.

Ndërsa sezoni turistik po afron, strukturat hoteliere kanë mbyllur tashmë prenotimet e para. Ky sezon paralajmëron surpriza, pasi priten flukse turistësh nga vende, që nuk e kanë frekuentuar deri tani bregdetin shqiptar.

“Përveç tregjeve që kemi pasur vjet, këtë vit janë shtuar tregje të reja si francezët, që po tentojnë të vijnë në Shqipëri, anglezët që e shohin vendin tonë si destinacion të ri, por gjëja më interesante është që italianët po vijnë në Shqipëri për pushime, në mënyrë individuale jo të organizuar. Është bërë goxha promovim në mediat italiane për Shqipërinë dhe plazhet shqiptare”,- thotë për “DurrësLajm”, Blerim Norja, menaxher i njërit prej hoteleve më të njohura në qytetin bregdetar.

Shtrirja e sezonit nga maji deri në fund të tetorit rezultoi shumë e suksesshme vitin e kaluar, kur Durrësi regjistroi rreth 1.5 milionë turistë.

“Pritshmëritë për këtë vit janë edhe më të larta, pasi qyteti bregdetar ka raport shumë të mirë mes cilësisë së shërbimit dhe çmimeve”,- thotë ndër të tjera kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Artan Luku, ndërsa shton:

“Vihet re gjithashtu administrimi i mirë i disa proceseve si pastrimi i ambienteve publike, tërheqja e mbeturinave urbane etj. Ka qenë goxha mirë vitin e kaluar dhe prishmëritë janë për më mirë këtë vit”.

Liberalizimi i vizave për shtetasit kosovarë është reflektuar ndjeshëm në frekuentimin e hoteleve të Durrësit përgjatë fundjavave. Por nga ana tjetër, kjo ulje e ndjeshme është kompensuar disi me klientelën vendase.

“Ka një rënie më shumë se 50% krahasuar me vitin e kaluar. Ndihet mungesa e tregut kosovar në Durrës gjatë sezonit dimëror, pasi në fundjavë të gjitha hotelet ishin plot. Por ka ndodhur diçka tjetër, hotelet në fundjavë po frekuentohen nga vetë shqiptarët nga Tirana, Elbasani etj.”,- thotë Norja.

Disa nga problematikat e sezoneve të kaluara, pritet të shoqërojnë edhe këtë sezon turistik.

“Mungesa e theksuar e burimeve njerëzore të specializuara, por edhe të thjeshta, paqëndrueshmëria e valutës, forcimi i herë pas hershëm i lekut, i papërputhshëm me tregun bën që operatorët të kenë fitime të munguara, që kapin shifrën 15-20%. Një problem tjetër që vihet re kohët e fundit është aksioni për lirimin e hapësirave publike. Jam dakort që biznesi nuk duhet të zaptojë hapësirat publike, por ky aksion duhet të niste më herët”,– thotë kreu i DhTI Durrës.

Nga strukturat hoteliere të Durrësit mësojmë se fluksi i pushuesve pritet të nisë në fund të muajit maj, ndërkohë që udhëtimet turistike në grupe të konsiderueshme nisin që pas periudhës së Pashkëve, në muajin prill.

M.B.