Nga Hamdi Jupe

Fundjava më gjeti në Fushë–Krujë, ku zhvillohet mitingu elektoral i Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit. Ky qark do të nxjerrë trembëdhjetë deputetë për Parlamentin e ri. Për nga potenciali ekonomik, është qarku i dytë i vendit, pas Tiranës. Fushë–Kruja është porta e Krujës, hyrja e saj, është pjesa e butë e qytetit të betejave historike kundër turqve. Rrethimi i parë, rrethimi i dytë, rrethimi i tretë, rrethimi i katërt i Krujës. Ushtria më e madhe e botës erdhi katër herë këtu për të mposhtur Krujën. Historia këtu është e shkruar në çdo pëllëmbë tokë. Qyteti i Lashtë i Albanopolis (Zgërdheshi), nga kemi marrë edhe emrin “alban”, është pikërisht këtu.

Fushë–Kruja është vendi i vizitës së Presidentit  Amerikan, Xhorxh W. Bush. Ju kujtohet kur Bushi ishte në Tiranë gjashte vjet më parë?  Ne tiranasit e  shikonim në televizor, se nuk na lejohej t’i afroheshim. Ndërsa papritur ai u shfaq në Fushë–Krujë, në mes të njerëzve, duke pirë kafe e biseduar me ta, e më pas i ngritur mbi supet e tyre. Pamjet e televizioneve për këtë ngjarje bënë menjëherë xhiron e botës. Tani atje është kafeneja ku ka qëndruar Bushi i Ri, me emrin e tij, si dhe monumenti në qendër të Fushë–Krujës.

Kam edhe arsye të tjera për ta ndjekur këtë miting. Atje është caktuar si deputet miku im i hershëm, Namik Dokle. Namiku është “vera e vjetër” e Parlamentit të ri, jo vetëm i kësaj partie. Ai është deputet që nga viti 1991, pa ndërprerë. Është i vetmi deputet i Kuvendit të Shqipërisë që e ka ushtruar këtë aktivitet që nga zgjedhjet e para demokratike të vitit 1991 e deri më sot. Kështu, me katër vitet e legjislaturës së ardhshme ai do të bëjë plot 26 vjet deputet pa ndërprerje. Nuk ka tjetër deputet të tillë deri tani në Parlamentin demokratik shqiptar.

Namiku ka edhe një tjetër rekord. Ai ishte kryetar i Parlamentit në vitet 2001–2002, kur dha dorëheqjen nga kjo detyrë, sepse Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë një vendim të Parlamentit. Përgjegjësia për vendimin ishte i Parlamentit, jo i kryetarit. Por ky i fundit e mori të gjithë përgjegjësinë mbi vete. Edhe Berisha, atëherë në opozitë, i tha: “Namik, mos e jep dorëheqjen, nuk është përgjegjësia jote”. Por ky e bëri. Është i pari dhe i vetmi kryetar i Parlamentit shqiptar gjatë 93 viteve të aktivitetit të këtij institucioni, që jep dorëheqjen nga ajo detyrë. Çështje e moralit politik të njeriut.

Namiku mund të kandidonte në çdo rreth tjetër të vendit e të pritej me ngrohtësi, nga të majtë e të djathtë.

Vite më parë martohej një mbesë në fshat, në Sarandë. Krushqit ishin familje demokratësh. Në dasmë kishte ardhur edhe Namiku, por atë e futëm në një dhomë të veçantë. Kur erdhën krushqit për të marrë nusen, e morën vesh që atje ishte Namiku, prandaj kryekrushku kërkoi të futen në dhomë me të. Dhamë e morëm, por nuk e penguam dot të hynte. Pastaj gjetëm belanë për t’i nxjerrë nga shtëpia, sepse ata harruan përse kishin ardhur e nuk donin të iknin. Avujt e dasmës dhe biseda me Namikun i kishin turbulluar. Mbetën robër aty brenda. Dasma u kthye në miting.

Po të ishin të gjithë kandidatët për deputetë si Namiku, mund të shkoja në këtë fushatë në çdo cep të Republikës e të shkruaja reportazhe për fushatën e tyre. Por për të tjerët druaj, se nuk e vë dot dorën në zjarr. Prandaj po rri më mirë në Fushë–Krujë. Nuk kam më kohë t’i korrigjoj gabimet e mundshme të shkrimeve të mia. Këtu jam i sigurt që penda nuk do më koritë duke shkruar për të.

Fushë–Kruja nuk i mban gjatë të zgjedhurit në krye të saj. Gjatë këtyre 23 viteve të demokracisë atje janë ndërruar disa herë deputetët dhe kryetarët e Bashkisë, herë të majtë e herë të djathtë. Po punove mirë, i merr prapë votat, përndryshe, “shihemi herën tjetër”.

Fushë-Kruja është vendi i zdrukthëtarive private. Gati në çdo njëqind metra rrugë këtu do të gjesh një zdrukthëtari. Se si hyri kjo lloj industrie këtu, nuk dihet ende. Por nëse do të bësh një palë mobilie për shtëpinë, nuk ke vend tjetër më të mirë se këtu. Me shije bashkëkohore dhe me çmime të leverdishme. Ato punojnë për Tiranën dhe për qytetet e tjera. Kanë gjetur mundësinë të sigurojnë jetesën me punën e tyre, në kushtet e vështira të ekonomisë së tregut.

Furrat e gëlqeres në Fushë–Krujë janë një problem i njohur. Ato janë burim jetese për një pjesë të popullsisë, me mjetet e vdekjes, për arsye të ndotjes së ambientit prej gomave të djegura të tyre.  Fabrikat e çimentos janë gjithashtu një mundësi tjetër punësimi në Fushë- Krujë. Por problemet mjedisore që shkaktojnë ato, i shqetësojnë banorët.

Aksidentet automobilistike në rrugën Fushë–Krujë – Milot janë ndër më të shpeshtat dhe më tragjiket. Këto vijnë nga ideja e gënjeshtërt se kemi rrugë për të ecur. Edhe kjo rrugë është pjesë e asaj përrallës me “dhjetë mijë kilometra”, që pretendon qeveria se ka ndërtuar. Por rruga nuk i ka parametrat e nevojshëm teknikë dhe sinjalistikën e nevojshme për shmangien e aksidenteve. Prandaj këtu gjen më shumë murana përkujtimore për të vrarët në aksidente automobilistike se në çdo rrugë tjetër të botës.

Kruja shquhet për tolerancë politike. Fushë-Kruja është e mbushur me flamuj të tri partive: PS, PD dhe LSI. Kur hyj në qendër të saj, dy orë para mitingut, detyrohem të pyes një polic në shesh se kush ka miting sot. “PS” – më përgjigjet. “Po këta flamuj të PD-së?” – i them, duke menduar se mund të ketë ndonjë provokacion. “S’ka gjë, – thotë, – nuk prishin punë. Por flamujt e PD–së do të hiqen kur të fillojë mitingu”.

Ashtu ndodh vërtet. Punonjësit e dekorit i heqin flamujt e PD-së nga sheshi ku do të zhvillohet mitingu i PS-së. Kështu do të ndodhë edhe kur të zhvillohet mitingu i PD-së. Do hiqen përkohësisht flamujt e PS-së, derisa të mbarojë mitingu. “Ne jemi tolerantë, – më thotë një pronar lokali, kur flas me të për flamujt, – e keqja na vjen nga Tirana”.

Hyj në një kafene në qendër të qytetit, të veshur gjithandej me ngjyrën e purpurt të PS-së. Një grup të rinjsh merren me shpërndarjen e flamujve të mitingut. Nuk më njeh askush. “Sa ka ndryshuar PS -ja! – them me vete, – nuk njeh i dyti të parin”. Jam i veshur i tëri me rroba blu dhe nuk është çudi të më marrin si ndonjë provokator të PD-së. Po ja ku del një flokëbardhë që më njeh dhe më fton për kafe. Unë nuk duan kafe, por informacion. Dhe ja njeriu i duhur për këtë.

Artur Bushi, një Bush i ri Thumane, jo ai i Uashingtonit, deri para pak ditësh kryetar i komunës atje, tani i gjashti në listën shumemërore të Partisë Socialiste të qarkut të Durrësit, ku opozita pretendon të marrë 7 deputetë në zgjedhje, më flet për arsyet se përse PS do të marrë më shumë në këto zgjedhje. Tetë vjet kanë qenë rrënim dhe shkatërrim në mjedis, thotë ai. Furra gëlqereje dhe prishje e gjelbërimit gjithandej në rrethin e Krujës. Është shkatërruar administrata publike dhe është mbushur o me militantë. Gjendja ekonomike e qytetarëve dhe fshatarëve është e rënduar. Kruja ka dy fabrika çimentoje, por ato punësojnë punëtorë të ardhur nga jashtë Krujës, sipas klientelave personale të njërit e tjetrit. Kjo është edhe një nga arsyet e konflikteve të banorëve me fabrikat e çimentos. Në fshat nuk është vënë dorë në bonifikime dhe veprat ujitëse, megjithëse bujqësia është baza e ekonomisë për popullsinë fshatare të Krujës.

Nuk ka infrastrukturë minimale për turizmin, megjithëse Kruja ka disa qendra historike e kulturore unikale. Këto i mbyllin derën turizmit. Fasonët dhe artizanati janë të vetmet aktivitete që i japin pak frymëmarrje qytetit. Por edhe këto shpeshherë shantazhohen nga organet tatimore.

Në mes të Fushë–Krujës kalojnë kamionët e mëdhenj të mallrave, të çimentos, të gëlqeres etj., sepse nuk ka unazë për kalimin e tyre. Kjo është përuruar nga Berisha, por nga Drejtoria e Rrugëve nuk i jepet leje Bashkisë së drejtuar nga socialistët për të lidhur unazën me rrugën kryesore Tiranë–Lezhë. Banorët anës rrugës jetojnë të izoluar, sepse rruga e vjetër Fushë–Krujë-Thumanë është në gjendje inekzistente. Mungon uji i pijshëm në fshatra. Këto janë fjalët e kandidatit Bushi për Krujën.

Nuk dua ta ftoh optimizmin e këtij politikani rishtar për fitoren. Por e di se Prefektura e Durrësit është një det i thellë dhe i turbullt elektoral, ku gjallojnë shumë “peshkaqenë” të politikës, të varur e të pavarur, që kërkojnë të shkëputin ndonjë copë nga trembëdhjetë mandatet parlamentare të saj.

Kam vite pa u takuar me Namik Doklen. Jemi “takuar” vetëm virtualisht, nëpër artikuj gazetash. Edhe sot nuk kam shpresë ta takoj. Ai është në krye të mitingut, unë jam në bisht të tij, duke shkruar kronikën. Por ja, papritur ai futet në kafene. Takohemi e përqafohemi.

– Mos u afro shumë, – i them, – se jam i pavarur. Ju jeni partiakë!

– E di, e di, – ma kthen, – po do të të “varim” prapë edhe ty. – Dhe zhduket mes turmës për të mos u parë më.

Më pas fillojnë muzika, thirrjet, fjalimet, denoncimet, premtimet në tribunë. Kandidatët e qarkut të Durrësit kalojnë në paradë para turmës. Edhe 29 ditë na ndajnë deri në zgjedhje dhe numri 29 është i bekuar për socialistët, prandaj përmendet shpeshherë në fjalime. Ai është numri që ka partia e tyre në fletën e votimit.

Jam lexues i vjetër i mitingjeve elektorale. Nga ballkoni i kafenesë në katin e dytë të një pallati ku qëndroj përpiqem të lexoj mitingun e radhës. Ja, në krye të tij në shesh qëndron “grupi i zjarrit”, ata më entuziastët, më të zjarrtit, më të papërmbajturit. Natyrisht, edhe më të rinjtë në moshë. Ka shumë të rinj në miting. Pastaj vijnë militantët e qetë, që zjarrminë partiake e kanë përbrenda,  por që nuk e shprehin hapur.

Pas tyre vjen një “brez gri”, i atyre që në zgjedhjet e kaluara kanë votuar për PD-në, por janë të zhgënjyer prej saj, prandaj kërkojnë të gjejnë një shpresë të re te mitingjet e opozitës. Për këta mbahen fjalimet e zjarrta, për ta bëhen premtimet, për ta bien tamburatë e fushatës. Ata e vendosin se nga do të kalojë deputeti i fundit i listës, duke i dhënë kështu mundësi kësaj apo asaj partie të vijë në pushtet apo të qëndrojë në opozitë. Ata e vendosin lavdinë ose turpin e politikanëve në këtë fushatë.

Në trotuare pranë mitingut qëndrojnë abstenuesit e përhershëm, ata që e kanë vendosur me kohë që nuk do të votojnë fare. Si të tillë, ata lëshojnë nëpër dhëmbë ndonjë sharje, si p.sh.: “Na çanë kokën me këto mitingjet!”. Por sidoqoftë, edhe ata e kaluan një orë “ndryshe” nga mbrëmjet e tjera, në këtë qytet provincial, vetëm 15 km larg Tiranës, ku jeta rrjedh pa shumë ngjarje.

Të tjerat në miting dihen, se janë dëgjuar edhe më parë: ulje taksash, legalizim të pronave, forcim i rendit, ndihma për bujqësinë etj. Muzika ulet, projektorët fiken, sheshi fillon të boshatiset, sipari i festës bie, duke ia lënë vendin jetës normale.

Nesër apo pasnesër këtu do të zhvillohet mitingu i një partie tjetër. Flamujt rozë do të hiqen nga shtyllat dhe në vend të tyre do të vendosen ata me ngjyrë blu. Me mirëkuptim të plotë e pa tensione. Të gjithë janë flamuj të shqiptarëve. E kështu me radhë, në një “rrotacion” paqësor të flamujve. Populli e ka kuptuar dhe e ka pranuar demokracinë dhe rrotacionin  jo si tragjedi, as si dramë, por si festë.

Është koha të kthehem në Tiranë.

http://www.panorama.com.al/2013/05/28/ne-fundjave-ne-fushate-ne-fushe-kruje/