Është ende në rrezik për jetën 35 vjeçari shqiptar, i aksidentuar një ditë më parë në Udine. Mediet e vendit fqinjë raportojnë se L.M., 35 vjeç, ishte duke punuar në një kantier ndërtimi dhe për fatin e tij të keq ka rënë nga një shkallë, në një lartësi rreth 3 metra.

Mësohet se punëtori shqiptar ka përplasur fort kokën në tokë e për pasojë ka humbur menjëherë ndjenjat. Kanë qenë shokët e tij që kanë njoftuar menjëherë ambulancën.

Shqiptari, resident në Pordenone, ndodhet tashmë i shtruar në repartin e reanimacionit në spitalin e Udines. Kantieri i ndërtimit ku punonte 35 vjeçari është vënë nën sekuestro, ndërsa hetimet pritet të zbulojnë nëse aty respektoheshin rregullat e sigurimit teknik.