Kuqezinjtë do të nisin përgatitjet për takimet që do të luajë në Gjermani, me besimin se në pjesëmarrjen e dytë do të bëjë më mirë se në debutimin e vitit 2016, duke shpresuar këtë herë që të kalojë të paktën fazën e grupeve.

Trajneri Sylvinho do të ketë një mision të vështirë, për të caktuar 23 lojtarët që do të marrë me vete në Gjermani.

Deri në qershor duhen ende dhe shumë muaj dhe padyshim do të ketë mundësinë të testojë të gjithë lojtarët në disa miqësore që do të përcaktohen në javët e ardhshme. Hapësira e radhës për kombëtaret do të jetë në muajin mars, ndërkohë që më pas në maj do të nisë dhe vrulli përfundimtar para nisjes së europianit.

Braziliani dhe stafi i tij do të monitorojnë me kujdes gjendjen e lojtarëve, ku prioritet do të kenë padyshim lojtarët që kanë dhënë kontribut në kualifikuese, diçka që edhe vetë tekniku e ka shprehur disa herë. Megjithatë, edhe nga grupi i lojtarëve që ka ftuar në grumbullimet e këtij vitit, Sylvinho do të jetë i detyruar të bëjë disa përzgjedhje, pasi vetëm 23 lojtarë mund të marrë me vete në Gjermani.

Nuk duhet harruar se në këto kualifikuese kanë munguar dy prej lojtarëve që konsiderohen si e ardhmja e kombëtares, Armando Broja që luan me Chelsea dhe Marash Kumbulla që është pjesë e Romës. Të dy këta lojtarë do ja bëjnë dhe më të vështirë përzgjedhjen e listës trajnerit të kuqezinjve, pa përmendur mundësinë e shpërthimit të ndonjë tjetër lojtari kuqezi, që mund të kthehet në një kandidaturë për europianin.

Trajneri do të ketë mundësinë që të marrë rreth 28 lojtarë në grumbullimin paraprak për në Gjermani, por më pas do i duhet të reduktojë listën në 23, çka do të jetë ndoshta dhe puna më e vështirë. Këtë edicion pjesa më e madhe e lojtarëve të Kombëtares po bëjnë mirë në skuadrat e tyre e tani do të motivohen akoma dhe më tepër për të fituar një biletë për në Euro 2024, por në anën tjetër do të shpresojnë dhe për të shmangur ndonjë dëmtim të mundshëm, që mund t’i privojë nga ëndrra e madhe.