“Klubi Neokadare” i gjimnazit jopublik “Rilindja” Durrës, vizitoi Shtëpinë Studio Kadare.
Nxënësit u njohën me fakte interesante nga aktiviteti letrar dhe jeta personale e shkrimtarit. Pas finalizimit me sukses të projektit ndërlëndor “Në gjurmët e Kadaresë”, ardhja në shtëpinë-muze u konsiderua si përmbyllje e këtij udhëtimi në Universin e mendimit kadareian.
Nxënësit në mënyrë simbolike i dhuruan muzeut një kolazh fotosh nga projekti, tri piktura që u shoqëruan me interpretime interesante nga piktorët. Ata lexuan poezi të krijuara prej tyre me neologjizma të Kadaresë, e në fund nxënësja Denisa Prifti me një kompozim origjinal, një variant të ri të poezisë “Mall” të cilin e përcolli përmes tingujve të kitarës së saj.
Mësueset organizatore të projektit i dhuruan muzeut një trofe-simbol të “Klubit Neokadare”, i njëjtë me atë që iu dhurua shkrimtarit në ditën e lindjes së tij.
Prezantimi i nxënësve qe befasues për përfaqësuesit e Shtëpisë Studio Kadare. Ata shfaqën interes të veçantë për të qenë pjesëmarrës në veprimtari të tjera të këtij klubi.