Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve premton se plazhi nuk do të vuajë më për ujë, ndërkohë që pranon problematikën në disa lagje të qytetit

Ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve sh.a në Durrës ka premtuar 20 orë ujë në ditë në zonën turistike të plazhit. Investimi është në fazën e zbatimit dhe pritet që në fund të muajit korrik apo në ditët e para të muajit gusht pushuesit dhe banorët e Plazhit të kenë ujë në sasi të konsideruar. Deklarimi është bërë nga drejtori i ujësjellës-kanalizimeve sh.a., Doklead Ademi, i cili e mbështet këtë pohim në projektin që po investohet në anën e majtë të rrugës Ura e Dajlanit-Plepa. Fondi është 120 milion dollarë dhe në përfundim të tij pritet që më shumë se 65 përqind e zonës së Plazhit të furnizohet me ujë për 20 orë në ditë. Por drejtori Ademi sqaron se ndërmarrja po ndjek me përgjegjësi edhe furnizimin me ujë të pijshëm brenda në qytet si për qytetarët ashtu dhe për entet shtetërore dhe bizneset, ndërsa vëmendje po i kushtohet edhe zonave periferike. Ademi ka pranuar se ka vatra problematike duke pranuar përgjegjësinë e ndërmarrjes në këtë drejtim, ndërsa ka bërë të ditur se në shumë pika vërehen abuzime nga ndërhyrjet e paligjshme të qytetarëve.



20 orë furnizim i rregullt me ujë për zonën turistike në fillim të muajit gusht

120 milion dollarë është vlera e investimit që po realizohet në zonën e Plazhit

530 litra ujë në sek merr qyteti, ndërkohë që kërkesa është për 850 litra ujë në sek

9 pompa janë aktualisht në punë në stacionin e Fushë Kuqes, nga 7 që ishin në qershor

4600 lidhje të paligjshme janë prerë në vitin 2010, ndërsa në  2011-tën rreth 9800



 

Sezoni i verës ka hyrë në fazën e rritjes së kërkesës për ujë të pijshëm kryesisht në zonën përgjatë vijës bregdetare, por edhe në qytet. Si paraqitet situata?

Zona turistike ka dy zona. Njëra nis tek Përroi i Agait dhe mbyllet në Plepa dhe tjetra nga Plepat deri tek Ura e Dajlanit. Në këtë gjatësi të vijës bregdetare gjendet edhe pjesa më e madhe e pushuesve. Zona e parë, nga Përroi i Agait deri në Plepa e ka të zgjidhur përfundimisht furnizimin me ujë të pijshëm. Projekti ka përfunduar dhe apartamentet, bizneset, banorët e pushuesit furnizohen pa ndërprerje me ujë. Ne kemi realizuar në këtë zonë 230 lidhje, të cilat kanë shmangur edhe abuzimet. Presioni i ujit është 7-8 atmosferë dhe kjo favorizon ngjitjen e ujit deri në katin e 7 e të tetë pa nevojën e pompave. Investimi këtu është bërë sipas kushteve dhe standarteve të përcaktuara evropiane dhe i gjithë fondi i investimit është mbuluar nga ndërmarrja jonë. Zona e dytë, nga Plepat deri tek Ura e Dajlanit ka një rritje me 1 orë në ditë të kohës së furnizimit me ujë të pijshëm. Në fund të korrikut apo në fillim të gushtit përfundon investimi më i madh i bërë ndonjëherë në këtë pjesë turistike të plazhit të madh me fondet e Ujësjellës-Kanalizimeve sh.a. Investimi kap shifrën 120 milion dollarë dhe ka nisur të zbatohet që nga prilli i këtij viti për t’u mbyllur në fund të muajit korrik. Ky projekt zgjidh përfundimisht këtë çështje të rëndësishme për 3500 familje apo rreth 20 mijë banorë në anën e majtë të shinave të trenit. Por përmirësimi i ndjeshëm në furnizimin me ujë do të ndihet edhe në Arapaj e Kodrën e Rrashbullit. Ky investim shmang edhe abuzimet, ndërhyrjet e paligjshme, të cilat janë të shumta, shmang ndotjen reale në rrjet, përmirëson presionin e ujit dhe afron cilësi të lartë të ujit të pijshëm.

Investimet përgjithësisht janë përqendruar në Plazh. Po qyteti si paraqitet në furnizimin me ujë?

Duhet të jemi të qartë se kërkesat për ujë janë të larta. Sot hyn në rrjetin e ujit për Durrësin 530 litra ujë në sek. Kërkesa është për 850 litra ujë në sek. Ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizimeve furnizon me ujë 400 mijë banorë. Kjo shifër është mesatare vjetore por në verë, për shkak të dyndjes së pushuesve numri i konsumatorëve të ujit dyfishohet. Në verë, popullsia e Durrësit shkon në rreth 700-800 mijë banorë, pra dy herë më shumë. Thënë ndryshe duhet dyfishi i sasisë së ujit. Me 1 korrik nga shtatë pompa në punë tek nënstacioni në Fushë Kuqe janë vënë në punë edhe dy të tjera duke e çuar në nëntë numrin e pompave. Ne po monitorojmë furnizimin. Kemi informacione për pikat problematike, për mosrespektim të grafikut dhe për ndërhyrje të shumta në rrjet. Një pjesë janë përgjegjësi e jona dhe me jo pak kosto, por edhe qytetarët kanë jo pak përgjegjësi. Ditët e fundit ka pasur anomali në furnizimin me ujë në disa lagje dhe çrregullime në lagje të tjera. Me të marrë informacionin ne kemi organizuar punën tonë dhe kemi marrë masa për të zgjidhur në kohë dhe sa më shpejt parregullsitë. Kemi investuar shumë vitet e fundit dhe parregullsitë për shkak të neglizhencave dhe burokracive apo edhe të ndërhyrjeve të paligjshme nga disa persona nuk mund dhe nuk duhet të krijojnë imazhin e keq. Qytetarët janë të lutur të apelojnë për çdo parregullsi dhe shkelje që vënë re.

Ne do u përgjigjemi sa më parë dhe garantojmë se vera e sivjetme do të jetë shumë më e rregullt në furnizimin me ujë të pijshëm se çdo vit i kaluar. Një pjesë e Plazhit tashmë ka marrë zgjidhje përfundimtare, pjesa tjetër është në proçes. Deri një vit më parë plazhi furnizohej vetëm një orë në ditë me ujë dhe uji lëshohej pa orar duke lënë zgjuar gjithë natën banorët dhe pushuesit. Tani situata është krejt tjetër. Ka disa orë ujë më shumë dhe respektohet grafiku sipas zonave. Nuk përjashtojmë avaritë që mund të ndodhin, siç edhe kanë ndodhur. Por këto nuk do të kenë peshë. Tek zona mbi gjykatën e Durrësit që njihet si lagjja e re, lagjja e Stanit dhe Sefer Efendiut deri vitin e kaluar banorët dhe bizneset furnizoheshin me ujë një orë në dy ditë. Tani kanë ujë 6 orë në ditë dhe matësit janë me GPS. Edhe zonat periferike kanë më shumë ujë të pijshëm. Këneta në 12 skolinat e saj merr rregullisht ujë të pijshëm. Kemi një problem në zemër të kësaj zone, pasi disa banorë kanë ndërhyrë në magjistral duke dëmtuar furnizimin e afro 150 familjeve. Deri në zgjidhjen përfundimtare, çdo ditë dërgojmë bote me ujë nga ndërmarrja dhe banorët furnizojnë depozitat e tyre pa paguar asnjë lek, pasi kanë kontratë të rregullt me ne. Na duhet ta monitorojmë më me cilësi situatën, pasi tani jemi në pragun e rritjes së kërkesës për ujë, e cila përkon edhe me dyfishimin e numrit të pushuesve. Situatën e kemi nën kontroll dhe besojmë se do e kontrollojmë me përgjegjësi.

Është folur shpesh herë për lidhjet e paligjshme dhe abuzimet. Si keni vepruar përballë këtij fenomeni?

Prej dy vitesh kemi nisur aksion të pandërprerë për të prerë lidhjet e paligjshme si dhe për të denoncuar abuzimet. Kemi një inspektoriat të ujit që ndjek fenomenin si dhe një degë juridike, e cila përgatit dosjet e abuzuesve për t’i përcjellë në dyert e gjykatës. Vetëm në vitin 2010 kemi prerë 4600 lidhje të paligjshme, ndërsa në vitin 2011 ky numër ka shkuar në 9800 lidhje. Etja për të ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në asetet e ujësjellësit nga qytetarët, por edhe nga pronarë të bareve e lokaleve të ndryshme është shumë e madhe. Është vështirë të konceptohet se si dhe pse ndodh kështu, por duhet të pranojmë se prirja për të vjedhur ujin është fenomen shumë problematik. Ata ndërhyjnë në rrjetin tonë dhe përveç faktit që marrin ujë pa paguar asnjë qindarkë, prishin edhe cilësinë e ujit. Ka ndodhur shpesh që, në këto nyje të shumta, uji të rezultojë i ndotur, pasi ndërhyrja është amatoreske.

Aksionet tona nuk do të ndërpriten. Tani jemi tërësisht të përqendruar tek furnizimi me ujë kryesisht në pjesët e vijës bregdetare, pasi atje ka edhe kërkesë në sasi më të madhe për ujë të pijshëm. Pushuesi kërkon ujë, drita, rend e pastërti. Ujësjellësi dhe organet e policisë janë dy institucione që kanë një punë të ngjeshur në këtë stinë. Ne bashkëveprojmë me policinë dhe kemi mundur të shmangim shumë abuzime në rrjet. Subjektet tregtare dhe bizneset që abuzojnë janë në sasi më të madhe krahasuar me abuzuesit familjarë. Inspektorët tanë në terren janë ndeshur edhe me kundërshtimet e kësaj kategorie, të cilët kanë tentuar të provokojnë punonjësit e ujësjellësit. Ne u kemi bërë të ditur se gjoba është masa e parë, ndërsa shumë persona që kanë vënë dorë në tubacionet e ujësjellësit janë bërë objekt i padive penale. Sot ne kemi shumë nevojë për ujë dhe në të tilla kushte jo vetëm që qytetarët duhet të heqin dorë nga abuzimet, por edhe të kursejnë ujin, të kontrollojnë rrjedhjet në depozita si dhe mos ta shpërdorojnë atë. Kemi shpërndarë fletëpalosje dhe po monitorojmë ditë pas dite situatën, e cila duket premtuese.



 

Abuzimet në rrjet

“Prej dy vitesh kemi nisur aksion të pandërprerë për të prerë lidhjet e paligjshme si dhe për të denoncuar abuzimet. Vetëm në vitin 2010 kemi prerë 4600 lidhje të paligjshme, ndërsa në vitin 2011 ky numër ka shkuar në 9800 lidhje. Etja për të ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në asetet e ujësjellësit nga qytetarët, por edhe nga pronarë të bareve e lokaleve të ndryshme është shumë e madhe. Është vështirë të konceptohet se si dhe pse ndodh kështu, por duhet të pranojmë se prirja për të vjedhur ujin është fenomen shumë problematik. Ata ndërhyjnë në rrjetin tonë dhe përveç faktit që marrin ujë pa paguar asnjë qindarkë, prishin edhe cilësinë e ujit”,- tha drejtori Ademi.



 

Apeli

Sot ne kemi shumë nevojë për ujë dhe në të tilla kushte jo vetëm që qytetarët duhet të heqin dorë nga abuzimet, por edhe të kursejnë ujin, të kontrollojnë rrjedhjet në depozita si dhe mos ta shpërdorojnë atë. Kemi shpërndarë fletëpalosje dhe po monitorojmë ditë pas dite situatën, e cila duket premtuese.