122 foto bardh e zi, që pasqyrojnë qytetin e Durrësit në etapa të ndryshme të zhvillimit të tij gjatë shekullit të kaluar janë vendosur këto ditë në fasadën e ish-hotel “Vollga”, pranë shëtitores “Taulantia”.

Instalacioni me fotografi, i titulluar “Tradita durrsake” ka për qëllim të sjellë për vizitorët vendas dhe turistët e huaj një dëshmi autentike të qytetit bregdetar.

Përmes fotove, që do të qëndrojnë të ekspozuara në fasadën e ish-hotelit simbol të qytetit, synohet që godina 3 katëshe të kthehet në një atraksion të ri turistik.

Që në ditën e parë të vendosjes së tyre, kureshtarët nuk kanë munguar të tregojnë interes dhe të shohin nga afër fotot që tregojnë godinat historike disa prej të cilave nuk janë më, rrugët e qytetit, portin detar etj.

Fotot janë të shoqëruara me shpjegimet përkatëse në shqip dhe anglisht për t’i dhënë mundësi turistëve të shumtë që vizitojnë qytetin bregdetar të njihen jo vetëm me Durrësin aktual, por edhe Durrësin historik, që është ruajtur në kartolinat e dikurshme.

Instalacioni është bërë me material rezistent, duke pasur parasysh faktin se fotot do të jenë të ekspozuara ndaj ndikimit të kushteve atmosferike.

Disa nga fotot e ekspozuara janë marrë nga arkiva e ekspozitës muze “Turistë të përgjuar”. Projekti me instalacionin fotografik është ideuar në kuadër të “Durrës Summer Fest 2025”.

Instalacioni fotografik është i dyti, që vendoset në Durrës, pasi më herët një i ngjashëm është vendosur në murin rrethues të portit, ku 12 stendat e “Porti ndër vite” pasqyrojnë transformimin e tij, që nga vitet e para të krijimit e në vazhdim.

M.B.