31 maj 2015 –Ndërsa 7 pjesëtarë të FIFA-s u arrestuan për llogari të SHBA-së, pasi akuzohen për korrupsion, dyshimet dhe akuzat për stisje në ndeshjet e kompeticioneve të organizuara nga ky institucion shtohen. Në Itali ende nuk e kanë harruar Botërorin e Koresë dhe Japonisë të vitit 2002. Në atë kompeticion, në përballjen kundër organizatorëve të Koresë së Jugut, Italia u eliminua në çerekfinale mes kontestimeve për gjykim të gabuar nga arbitri Bairon Moreno. Ndërsa dyshimet janë të forta për marrjen e ryshfeteve nga shtetet që kanë dashur të fitojnë të drejtën për organizimin kampionatit botëror, në Itali mendojnë se FIFA ka ndërhyrë edhe në rezultatet e ndeshjeve. Shefi i delegacionit të Italisë në Japoni dhe Kore të Jugut, Rafaele Ranuçi, kujton se ai akuzoi për trukim, që kur të kaltrit u eliminuan nga Koreja e Jugut.
“Në delegacionin tonë kishte njerëz që thanë se do të flisnin kur të ktheheshin në Itali. Unë isha i vetmi që thashë menjëherë se bëhej fjalë për një vjedhje”.
Ranuçi që tani mban detyrën e senatorit të Partisë Demokratike të Italisë i rikthehet prapë atij momenti të hidhur për të kaltrit. “Hetimi tregon se dyshimet tona ishin të drejta. Këtu ka një përzierje mes ekonomisë, futbollit dhe politikës. Ne u dërguam në shtëpi, Koreja e Jugut kishte presidentin e federatës kandidat për të marrë drejtimin e shtetit. Shpesh FIFA ka ndikuar edhe në politikë”.
Ish-drejtuesi i delegacionit italian vazhdon me argumentet e tij. “Është e sigurt që kur FIFA vendos që botërori të organizohet në një shtet të caktuar, ka interes që ekipi lokal të ketë sukses dhe të ecë përpara në garë sa më shumë të jetë e mundur. Kjo është diçka e mirë për televizionet dhe sponsorët. Pastaj të mos harrojmë Blaterin që në vitin 2006 në Berlin nuk erdhi që të na dorëzonte Kupën e Botës”.
Sipas FBI-së që ka hetuar FIFA-n dhe ka kërkuar arrestimin e 7 zyrtarëve, dyshimet janë për dhënien e ryshfeteve për të fituar të drejtën e organizimit e Kupës së Botës. Por kjo nuk e përjashton faktin që të ketë të tjera vepra penale. Në vitin 2002, ish-zv/ presidenti i FIFA-s, Uorner u akuzua për korrupsion në shitjen e të drejtave televizive, si edhe për biletat. Dyshimi është se ai përfitoi miliona dollarë. Kurse Xhefrej Ueb, një nga zëvendësit e Blaterit, i arrestuar të mërkurën, ishte pjesë e delegacionit të institucionit numër 1 të futbollit në botë në Kore dhe Japoni 2002.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/