Çdo fëmijë që ka pasion futbollin ëndërron që një ditë të bëjë realitet ëndrrën e tij dhe pse jo të veshë fanellën me numër 10 të ekipit të zemrës. Por, me sa duket, ky numër, edhe pse me shumë peshë, ka humbur në Serinë A, pasi në gjysmën e skuadrave italiane ai nuk ka një padron dhe po flasim edhe për klube elitare si Juventusi dhe Roma. Por gjithsesi, le të hyjmë në detaje.
Atalanta – Te bergamaskët, padroni është “Papu Gomez”, i cili për më shumë sapo ka rinovuar edhe kontratën e tij.
Benevento – Edhe pse i panjohur, Amato Çiçireti mban 10-ën.
Bolonja – Matia Destro e mban 10-ën prej tri vitesh, por viti i kaluar ishte më produktivi, me 11 gola. Pritet më shumë prej tij.
Kaljari – Zhoao Pedro vjet e mbajti veshur pak, për shkak dëmtimi.
Kievo – Për momentin, 10-ta nuk i përket askujt, por atë pritet ta marrë Xhanluka Gaudino, talenti që ka ardhur nga Bajerni i Mynihut.
Krotone – Edhe në këtë klub, 10-ta ka mbetur jetime.
Fiorentina – Bernardeski sapo e ka liruar…
Xhenoa – Në sezonin e kaluar e mbante veshur N’tçam, por ai është shitur sivjet te Sëlltiku. Pa pronar…
Inter – Gjatë këtij turneu veror ka ndërruar disa herë pronar, por pas Jovetiçit ndaj Bajernit, në ndeshjen e fundit ka qenë Zhoao Mario që e ka marrë 10-ën mbi shpatulla dhe nuk do ta lëshojë, të paktën për këtë sezon.
Juventus – Pritej të përfundonte në shpatullat e blerjes më të re, Bernardeski, por për të mos i vënë presion, klubi dhe lojtari kanë zgjedhur 33-shin. Pronari i 10-ës mund të mungojë për të dytin sezon radhazi. I fundit që e mbajti veshur ishte Pogba, në sezonin 2015-2016.
Lacio – Prej katër sezonesh është pjesë e brazilianit Felipe Anderson.
Milan – Pasi Honda e përdori pak në fushë në vitet e fundit, ajo nga sivjet i takon fantazistit turk, Hakan Xhalhanoglu.
Napoli – Në këtë klub, të gjithë mund ta ëndërrojnë, por ajo padronin e saj do ta ketë të përjetshëm, edhe pse ai nuk luan më. Një si Diego Armando Maradona vështirë se mund të vijë te Napoli.
Roma – Legjenda Toti sapo e ka dorëzuar, prandaj vështirë se të paktën sivjet numri 10 i Romës mund t’i dhurohet dikujt.
Sampdoria – I përkiste Fernandesit, por ky u shit këtë verë te Sportingu i Lisbonës dhe për momentin nuk i përket askujt.
Sasuolo – Edhe pse nuk është një fantazist, siç ndodh shpesh për këtë numër, 10 e Sasuolos është mbi shpatullat e Matrit.
SPAL – Padroni është Serxho Flokari.
Torino – Fantazi dhe frenezi, Adem Ljajiç e mban që nga korriku i 2016-ës.
Udineze – Argjentinasi De Paul ndoshta e meriton më shumë se kushdo tjetër, një fantazist që ndiqet nga klubet e mëdha.
Verona – Me Kasanon që prishi kontratën, 10-ta pritet t’i përkasë Alesio Çerçit, të ardhur nga Atletiko e Madridit.