Shqipëria hyri në vitin '90, si në vitin zero të ekzistencës së saj, por doli nga ai vit me lindjen pluralizmit shqiptar
Partia Demokratike festoi dje 22-vjetorin e krijimit të saj me një festë madhështore në Pallatin e Kongreseve, holli i të cilit u mbush nga mbi 2000 persona, të cilët kremtuan përvjetorin e njëzetedytë të themelimit të partisë së parë pluraliste në Shqipëri. Në hyrjen e Pallatit të Kongreseve, për nder të kësaj date të shënuar, ishin vënë banderola gjigante me mbishkrimin 22 vjet, si dhe tri ekrane gjigante. Ndërkohë nuk mungonin aksesorë të tjerë festivë, duke i dhënë Pallatit të Kongreseve një fytyrë të re. Në hyrjet e shkallëve ishte vendosur një tapet ngjyrë blu, ngjyrë e cila simbolizon Partinë Demokratike. Ndërkohë, salla brenda ishte e mbushur me banderola të mëdha ngjyrë blu, të cilat dalloheshin që në hyrje të Pallatit të Kongreseve. Momenti kulmor i festimeve ishte ardhja e Kryeministrit Berisha në sallën e Pallatit të Kongreseve, e cila u shoqërua me brohoritje nga të pranishmit.
Mbërritja e Kryeministrit u paralajmërua nga statusi i vendosur në profilin zyrtar të Facebook. "Rrugës për në festën e themelimit të Partisë Demokratike. Shpresoj të takohemi atje", shkruante Kryeministri pak minuta para se të mbërrinte te Pallati i Kongreseve. Salla, e cila ishte dekoruar me ngjyrë blu, ndriçohej me projektorë shumëngjyrësh, ku priti në mënyrë madhështore nën ritmet e këngës "With the rice" të grupit Modern Talking kreun e PD-së, i cili nuk ngurroi të përshëndeste të pranishmit. Pas hyrjes në sallë të kreut të Partisë Demokratike nisi festa, ku fillimisht u këndua himni i plotë kombëtar. Pas himnit radhën e morën 5 tenorët më të mirë në vend të kryesuar nga Kastriot Tusha, të cilët kënduan këngë me motive patriotike që përfshinin të gjitha trevat shqiptare. Pas këngës që entuziazmoi të pranishmit në podium u ngjit një 20-vjeçare, e cila tha se PD i dha mundësinë për të vazhduar studimet për juriste, mundësi që nuk do ta kishte po të mos kishte lindur PD 22 vjet më parë.
"Jam Flavia, 22 vjeç. PD më dha mundësinë të bëhesha ajo që dëshiroja. Unë dua të jem e suksesshme dhe vendi im dua të jetë i suksesshëm, prandaj do të votoj PD", tha e reja. Pas këtij momenti në podium u ngjit një i ri, i cili falë politikës së lirë fiskale kishte ngritur biznesin e tij. "Jam Olti, votova për herë të parë në 2009 PD dhe nuk u zhgënjeva. Po të mos kishte lindur PD 22 vite më parë nuk do ta kisha këtë mundësi", tha i riu. Pas këtij eventi, përmes tri videomesazheve të shkurtra përshëndetën nënkryetarët e PD-së, Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli, si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode. Pas këtij momenti u transmetua me anë të një videoekrani për të pranishmit rruga e mundimshme drejt fitores ndaj komunizmit dhe fillimit të pluralizmit politik në Shqipëri. Në takimin që u organizua në Pallatin e Kongreseve u përkujtuan figurat kryesore të Lëvizjes Studentore, por dhe intelektuale të dhjetorit, të cilët insistuan dhëmb për dhëmb me komunistët për krijimin e partisë së parë opozitare në Shqipëri.
Të pranishëm në këtë festë ishin deputetë, ish-deputetë, ministra, ish-ministra të Partisë Demokratike. Festimeve për 22-vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike iu bashkuan edhe ambasadorët e akredituar në Tiranë.
Në 2013-ën do të rrëzojmë murin e bllokimit
Pas përjetimit emocionues të krijimit të Partisë Demokratike përmes disa pamjeve filmike, fjalën e mori kryetari i PD, Sali Berisha, i cili zgjoi ovacione tek të pranishmit. I konsideruar si arkitekti i rrëzimit të komunizmit, kreu i PD bëri një rezyme të arritjeve të Partisë Demokratike si partia e parë opozitare në vend. "Ne kemi energji, besim dhe entuziazëm për ta bërë Shqipërinë vend të zhvilluar. Mandati i ardhshëm është mandati i Shqipërisë vend i zhvilluar. Ne jemi ndryshimi, sepse në këto vite të krizës më të thellë që Europa dhe bota ka njohur në 90 vitet e fundit me reformat tona qëndruam dhe sot ekonomia shqiptare ka rritje 4 herë më të madhe se ajo rajonale. Shqipëria është vendi i vetëm që ka dyfishuar rrogat e pensionet, ka shumëfishuar investimet dhe ecën e sigurtë drejt zenitit të ndryshimit", theksoi Berisha.
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, duke përshëndetur të rinjtë dhe të rejat që 22 vite më parë themeluan partinë e parë opozitare në historinë e Shqipërisë, duke kujtuar sfidat e pluralizmit kundër regjimit të hekurt të diktaturës, theksoi se PD u krijua si parti e idealeve më fisnike, që në krye të herës pati lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve të ndarë në 5 shtete. Kryeministri Berisha vlerësoi se sot pas 22 viteve vepra e atyre që themeluan pluralizmin bëhet edhe më madhështore. Ndërkohë, që u zotua se PD do të vijojë zotimin e saj për mbrojtjen e lirive të tyre. "Për ne, këto 22 vite kanë qenë vite përpjekjesh dhe sfidash të mëdha, vite gabimesh dhe suksesesh të mëdha, por mbi të gjitha historia jonë është historia e lirisë. Për ne, liria është Kushtetuta e përjetshme e veprimit tonë.
Ne vijmë sot si forca kryesore e ndryshimit e ndërtimit të së ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për ne, liria është magjia e ndryshimit dhe së ardhmes", theksoi Berisha. Në fund të fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh i sigurtë që Partia Demokratike do të fitojë zgjedhjet e vitit 2013. Ai tha se më 23 qershor shqiptarët do të shembin edhe murin e bllokimit njësoj siç shembën në 1990 murin e komunizmit. "Ne jemi ndryshimi se, 22 vjet më parë ndamë historinë, ndamë epokat, Shqipërinë vendin më të izoluar të globit e bëmë anëtare të NATO-s, bëmë që shqiptarët të lëvizin lirshëm. Ne që shembën Murin e Berlinit, ne që përmbysëm bunkerët e izolimit do të shembim edhe murin e bllokimit me votën e 23 qershorit, është vota e integrimit, është vota e së ardhmes", theksoi Kryeministri. Pas përshëndetjes me të pranishmit, festa kaloi jashtë ambienteve të Pallatit të Kongreseve, fishekzjarret shumëngjyrëshe pushtuan qiellin. Zhvillimet demokratike në vendet e Europës Lindore e mbi të gjitha rrëzimi i Murit të Berlinit, një vit më parë, ishin sinjalet e qarta se historia e Shqipërisë dhe popullit shqiptar do të ndryshonte thellësisht.
Lëvizja Studentore në fillim të dhjetorit 1990 shtyu një grup studentësh dhe intelektualësh të krijonin të parën forcë politike opozitare në Shqipëri, e cila do t'i jepte fund diktaturës komuniste dhe do të promovonte vlerat europiane për liri dhe demokraci.