Policia Bashkiake e Durrësit ka vijuar edhe gjatë mbrëmjes së sotme t’i bëjë apel qytetarëve përmes altoparlantëve për të qëndruar në shtëpi.

“Falenderojme qytetaret e Durresit, te cilet po zbatojne urdherat e autoriteteve shteterore per te qendruar ne shtepi, duke lehtesuar punen e policise bashkiake dhe policise se shtetit.

# ne jemi ne detyre ju qendroni ne shtepi”, shkruan Policia Bashkiake në rrjete sociale.

Vëmendja e shtuar e Policisë Bashkiake është përqendruar këto ditët e fundit edhe tek tregu i fruta-perimeve, ku subjekteve që tregtojnë produkte ushqimore u është kërkuar të marrin masa mbrojtëse duke vendosur doreza dhe maska.

Prej tre ditësh Durrësi është vendosur në karantinë, së bashku me kryeqytetin. Ndërkohë, në orën 00.00 , në mesnatë, skadon afati i vendosur nga qeveria për të mos përdorur makinat personale.

Qytetarët do të mund të lëvizin nga ora 00.00 deri në orën 08.00 të ditës së hënë. Gjatë kësaj fashe orare do të lejohet qarkullimi i mjeteve rrugore private të shtetasve me numër të kufizuar njerëzish 4+1 në të gjithë vendin, për t’u kthyer në vendbanimet e tyre.

Gjithashtu, bëhet me dije se do të lejohet qarkullimi në oraret 06:00 deri në orën 08:00 në mëngjes dhe 16:00 deri në 17:00 pasdite i mjeteve (furgonçina, furgonë, minibusë, autobusë) që do të bëjnë transportin e personelit dhe punonjësve të bizneseve prodhuese/industrial/bujqësore. duke marrë masa individuale mbrojtëse sipas kërkesave të dërguara dhe miratuara nga Policia e Shtetit. Ndërsa, jashtë këtyre orareve, mund të lëvizin mjetet rrugore që kryejnë shërbime të emergjencës, ambulanca, zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë së Shtetit e ato Ushtarake, punonjësit e medias me makina të loguara ose të panisura me dokument identifikimi, si dhe në oraret e ndërrimit të turneve, turni i parë 05:30 deri në 07:00, turni i dytë 13:30 deri në 15:00 dhe turni i tretë nga ora 21:30 deri në 22:30, të punonjësit të Policisë së Burgjeve, SHPSF-ve, si dhe personelit shëndetësor. Sigurisht të gjitha këtu lëvizje mund të kryhen duke marrë masat e nevojshme dhe kushtet e duhura higjienike.