Në kantierin e ndërtimit të shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës, paraditen e së hënës nuk kishte asnjë lëvizje.
Dera e mbyllur e kantierit të paralajmëronte se brenda tij nuk ndodhej askush.
Pas zbulimit të mozaikut të rrallë me fgura gjeometrike dhe floreale, që dyshohet se i përket fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II, pritet vendimi i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore për vijimin e gërmimeve në atë që mund të kthehet në sitin më të ri arkeologjik të qytetit.
Në një bisedë telefonike, arkeologu Luan Përzhita thotë për “DurrësLajm” se dosja me detajet e zbulimit është dorëzuar pranë KKTK-së dhe pritet vetëm vendimi, në mënyrë që arkeologët të rikthehen në kantier për të vijuar me gërmimet, që sipas tij mund të vijojnë 2-3 muaj.

Mozaiku i përbërë nga gurë ngjyrë blu të errët dhe të bardhë u zbulua në thellësinë 6 metra, gjatë gërmimeve për hapjen e themeleve të gjimnazit, i cili u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe do të rindërtohet me fondet e programit EU4Schools.

Përveç mozaikut, që tashmë është mbuluar, arkeologët kanë zbuluar edhe një pjesë muri 3 metër të lartë në anën lindore si dhe disa objekte të tjera. Arkeologu Përzhita thotë se muri është pjesërisht i dëmtuar për shkak të ndërtimit të një bunkeri nga italianët, shekullin e kaluar.

“E gjithë kjo zonë ka pasur ndërtime. Në vendin ku ngrihej shkolla e mesme, në mesjetë ka qenë një kishë. Mozaikun e zbuluam në periferi të bunkerit dhe kemi zbuluar vetëm disa pjesë të tij. Kur ta zbulojmë të gjithin do të kuptojmë sesi e ka ruajtur nëntoka dhe nëse është i dëmtuar apo jo”,– thotë Përzhita.
Pas zbulimit të mozaikut, që dyshohet se i përket një vile luksoze që ndodhej pranë amfiteatrit të Durrësit, arkeologu Përzhita është shpresëplotë se gërmimet mund të nxjerrin në dritë zbulime të tjera arkeologjike, që mund t’i shtohen trashëgimisë së pasur kulturore të qytetit 3000-vjeçar.
Ecuria e mëtejshme e gërmimeve dhe zbulimet e mundshme që pritet të dalin në dritë do të përcaktojnë ecurinë e punimeve për ndërtimin e shkollës së mesme. Një rast i ngjashëm ndodhi gjatë ndërtimit të shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”, ku gërmimet arkeologjike bënë të mundur identifikimin dhe zbulimin e një trakti të konsiderueshëm të murit rrethues të Dyrrahut antik, që i përkiste shekullit V para erës sonë deri në shekullin IV të erës sonë.

Projekti i shkollës 9-vjeçare u spostua, ndërkohë që siti arkeologjik u ruajt dhe do të mund të jetë i vizitueshëm në momentin, kur do të përfundojnë punimet për ndërtimin e “Eftali Koçit”.
Përzhita nuk di të thotë tani për tani nëse e njëjta praktikë do të ndiqet edhe me gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, sepse gjithçka do të vendoset pasi arkeologët dhe institucionet e specializuara të kenë një kuadër më të qartë për misteret arkeologjike dhe historike, që fsheh nëntoka e këtij kantieri ndërtimi.
“Eshtë ende shumë herët të flasim se çfarë do të ndodhë më tej, pasi do të jenë rezultatet e gërmimeve të mëtejshme që do të përcaktojnë vendimet që do të marrin institucionet shtetërore”,– thotë Përzhita.
Nëse siti i ri arkeologjik do të këtë vlera të rralla për trashëgiminë kulturore, ai mund të kthehet në një minipark arkeologjik në të ardhmen, por sipas Përzhitës ekziston mundësia që mozaiku të spostohet, pavarësisht se përmasat e tij rreth 60 metra do të kërkonin një sipërfaqe të konsiderueshme ekspozimi.
M.B.





