48-vjeçari shqiptar, Saimir Kushova është dënuar me 15 vite burg nga autoritetet norvegjeze për trafik drogë. Kushova gjithashtu është në kërkim nga autoritetet në Shqipëri për vdekjen e një turisteje britanike në vitin 2022.
29-vjeçarja britanike, Rebecca Gannon u mbyt gjatë në një ekspeditë zhytjeje të organizuar me Kushovën më 19 shtator. Në atë kohë 48-vjeçari ishte instruktor zhytjeje përpara se ti futej rrugës së trafikut të drogë.
Që nga vdekja e 29-vjeçares, babai i saj George Gannon ka kërkuar drejtësi nga autoritetet shqiptare për muaj të tërë. Ai gjithashtu mësoi se i dyshuari kryesor, Kushova ishte dënuar për trafikim droge dhe kishte marrë 15 vjet burg. Duke folur për MailOnline, Gannon tha se ka treguar se ka kaluar të paktën tre vite në Shqipëri duke ndjekur autoritetet për drejtësi.
“Kam kaluar pothuajse tre vjet në Shqipëri duke ndjekur autoritetet për drejtësi. Ka qenë e vështirë. Kam kaluar kohë larg familjes, por gjithçka që doja ishte që ky njeri të përballej me mua në gjykatë dhe tani ai është në burg në Norvegji. Ky njeri është përgjegjës për vdekjen e vajzës time dhe ai duhet të jetë në gjykatë.
Doja që autoritetet shqiptare të merrnin seriozisht atë që ndodhi me vajzën time. E dinim që ai ishte larguar pas vdekjes së Rebeccës, dhe duket se ai përfundoi në Norvegji dhe u përfshi në një operacion trafikimi droge. Nuk dinim që ai ishte akuzuar, dënuar dhe dërguar në burg për trafik drogërash”, ka rrëfyer ai.
“Ndjehem sikur ai po i shpëton drejtësisë për rolin e tij në vdekjen e Rebeccës, por unë nuk do të dorëzohem kurrë duke luftuar për të,” shtoi ai.
I dëshpëruari Gannon tha se autoritetet shqiptare kishin vonuar tepër ngarkimin me akuzat ndaj tij. Por më keq erdhi kur Kushova u arrestua dhe u mbajt në Shqipëri, por pastaj arriti të arratisej dy herë nga qelia, dhe përfundoi në Norvegji.
Aty, ai u arrestua për pjesëmarrje në një komplot të madh të trafikimit të kokainës që përfshinte 150 kg kokainë. Kushova ishte pjesë e një bande të përbërë nga gjashtë shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në trafikimin e kokainës, që përbënte kapjen më të madhe të një ngarkese kokaine ndonjëherë në Norvegjinë perëndimore.