Një i ri ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi ishte në kërkim nga Italia për drogë.

Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet Xh. A., 26 vjeç.

NJOFTIMI I POLICISË:

Finalizohet nga Sektori i Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, operacioni policor i koduar “Milano”. I akuzuar nga autoritetet italiane, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet në Tiranë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Itali, një 26-vjeçar. Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën informative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Milano”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në rrugën “Rexhep Pinari” dhe kanë arrestuar me qëllim ekstradimin, shtetasin Xh. A., 26 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Hetimeve Paraprake, Milano, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.