GREQI, 17 maj 2013- Policia greke është vënë në lëvizje për gjetjen e vajzës 15 vjeçare shqiptare, e cila është zhdukur që nga mesdita e së martës.
Vajza shqiptare Kristiana Dodaj, 15 vjeç, banore në Thermo, nuk u kthye në shtëpi nga shkolla, të martën në 14 maj.
Kristiana ka flokë të gjatë bjonde, sy kafe, lartësi 1.55 m dhe pesha 55 kg. Ajo në momentin e zhdukjes ka qenë e veshur me një këmishë blu, xhinse blu, atlete të bardha dhe mbante në dorë një çantë rozë.
Për shkak të qëndrimit të zgjatur të të miturës jashtë shtëpisë, familja e saj është shumë e shqetësuar dhe shpreson që të gjithë të japin informacione për t’i ndihmuar që të gjejnë vajzën, që ajo të jetë sërisht pranë tyre.
Denoncimin për zhdukjen e saj e bëri i ati, pasi vajza për disa orë mungoi në shtëpi dhe nuk dha asnjë shenjë.
Policia po heton në gjithë rajonin, ndërsa është kërkuar edhe ndihma e njësisë së krimit kibernetik. Policia ka njoftuar edhe autoritetet e kufirit, për çdo mundësi të daljes së saj jashtë Greqisë.
Familja shumë e shqetësuar ka kontaktuar edhe me organizatën “Buzëqeshja e fëmijës”, e cila ka publikuar të dhënat e vajzës, foton e saj dhe numrin e telefonit, për këdo që e ka pare dhe ka informacion. Organizata “Buzëqeshja e fëmijës” i bën thirrje çdo qytetari që të ndihmojë për gjetjen e vajzës shqiptare.





