Një 61-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi ishte shpallur në kërkim për para të falsifikuara që i kishte hedhur në qarkullim.

Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Cash” u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim: R. K., 61 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka hedhur në qarkullim kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit R. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 232 000 lekë të rinj dhe një shumë eurosh, të dyshuara të falsifikuara”, njoftoi policia.

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien e bashkëpunëtorëve, përpara përgjegjësisë penale.