Një 41-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet për moskallëzim krimi.
Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave ra Bledian Demiri.
NJOFTIMI I POLICISË:
Vijon operacioni policor kombëtar i koduar “Sundimi i ligjit” që ka si qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe të atyre që posedojnë armë zjarri, pa leje. I dënuar me 1 vit burgim për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, në lidhje me një ngjarje të ndodhur në vitin 2011, ku si pasojë e plagëve të marra humbi jetën 1 shtetas dhe u plagos lehtë djali i tij, ndalohet 41-vjeçari i shpallur në kërkim.
Si rezultat i kontrolleve të mbështetura tek informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe të kryera në vijim të operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, lokalizuan dhe ndaluan shtetasin në kërkim Bledian Demiri, 41 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq.
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetas, me 1 vit burgim, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 25.07.2011, në fshatin Pojan, Maliq, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, u plagos rëndë me sende të forta dhe grushte, një shtetas, i cili për pasojë humbi jetën, si dhe u dëmtua lehtë djali i tij.
41-vjeçari kishte dijeni për këtë ngjarje, por nuk e kallëzoi te organet përkatëse. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.