Arrestohet pas dy vitesh arrati gjatë një operacioni ndërkombëtar antidrogë në Dubai Eldi Dizdari, një nga personat e përfshirë në vrasjen e 4 tetorit në ish-Bllok në vitin 2018, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha si dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljo Hato.
Dizdari njihet për rolin e tij në trafikun e kokainës, ndërsa është bashkëshort i ish- missit shqiptar të njohur Suada Sherifi, me të cilën ka edhe një vajzë dy vjeçare. Ai është kapur gjatë operacionit ndërkombëtar të iniciuar fillimisht nga Italia, por që ka pasur bashkëpunim me Shqipërinë e Holandën.
Pikërisht një kartel shqiptar i trafikut ndërkombëtar të drogës u shkatërrua në Firence të Italisë, dhe duket se një prej drejtuesve apo bashkëpuntorëve ka qenë Eldi Dizdari, që fshihej në Dubai pasi ishte në kërkim nga shteti shqiptar.
Pikërisht duket se prishja e pazareve të drogës mes Eldi Dizdarit dhe Ervin Matës çoi dhe në përplasjen e armatosur në lokalin “Monopol” në ish- Bllok. Eldi Dizdari njihet ndryshe dhe si Denis Matoshi teksa tashmë duhet të përballet me drejtësinë shqiptare.





