17 nëntor 2014 –  Dy banditë grekë etnikë, por të lindur në Kazakistan në bashkëpunim me një shqiptar  rrëmbyen Barbaran 27 vjeçare ( vajzën e motrës) të milionerit grek Ioannis Kaimenakis, që është pronar i klubit të futbollit Asteras të qytetit të Tripolicës në Peloponez. Rrëmbimi ndodhi në zemër të Athinës, në Lagjen luksoze Kypseli në 31 tetor 2014.

Rrëmbyesit i kërkuan familjes së vajzës 10 milion euro shpërblim, që ta lironin vajzën. Pas negociatash të gjata u ra dakord vetëm për 82 000 euro shpërblim. Policia arrestoi dy prej banditëve të moshave 48 dhe 53 vjeç. Një shqiptar i tretë është shpallur në kërkim. Policët arritën t’i identifikojnë rrëmbyesit në sajë të analizave të AND-së së djersës të lënë mbi zarfin, ku ishte kërkesa për pagimin e 10 milion eurove.

 Në shtëpinë e njërit prej rrëmbyesve u gjetën 82 000 eurot e paguara si shpërblim për lirimin e vajzës. Pengu u lirua e pa dëmtuar. Në tërë Athinën vazhdon kërkimi për të arrestuar shqiptarin, rrëmbyesin e tretë. Policia greke po ashtu ka forcuar kontollin në pikat e kontroll kalimit të kufirit me Shqipërinë, për të mos lejuar daljen nga territori grek të shqiptarit rrëmbyes.Vetë ministri i punëve të brendshme të Greqisë Vasilios Kikilias përgëzoi policinë për punën e mirë të bërë si për lirimin e pengut edhe për gjetjen e parave të paguara dhe arrestimin e rrëmbyesve.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/