Serbia po punon për t’i dhënë fund ndalimit shumëvjeçar të ndërtimit të centraleve bërthamore në territorin e vet, e shtyrë nga nevoja për shumëllojshmëri në sektorin e energjisë dhe për t’u larguar nga varësia ndaj gazit të lirë rus.
Disa ministra serbë njoftuan më 10 korrik se vendi po shqyrton heqjen e ndalesës 35-vjeçare të epokës jugosllave për reaktorët bërthamorë. Ata thanë se është hapur një debat publik për ndryshimin e politikës së kamotshme të Beogradit për energjinë.
Nëse kjo ndodh, atëherë Qeveria serbe mund të zhytet në çështje gjeopolitike që përfshijnë energjinë bërthamore në Evropën Lindore, ku vendet po kërkojnë të largohet nga varësia ndaj Rusisë – e cila e ka mbizotëruar sektorin e energjisë bërthamore – dhe t’i shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit me vendet si, Kina, Franca, Mbretëria e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po synon ta përdorë realitetin e ri, krijuar nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, dhe ta shtrijë strategjinë e njëjtë edhe për të ardhmen bërthamore të vendit të cilët e ka përdorur me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian karshi Rusisë dhe Kinës në lidhje me një sërë çështjesh së politikës së jashtme dhe sigurisë.
“Edhe pse Serbia nuk ka qenë e ashpër me Rusinë sikurse ka qenë Bashkimi Evropian, ajo po synon ta ruajë një baraspeshë me Perëndimin”, tha për Radion Evropa e Lirë, Stefan Vladisavljev, drejtor i programit në Fondacionin BFPE nga Beogradi.
“Kjo nënkupton që Serbia të largohet nga Rusia për projekte të mëdha strategjike, por mbetet të shihet se ku do ta shpjerë kjo saktësisht Beogradin”, shtoi ai.
Para fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, Serbia varej nga fuqia e lirë punëtore vendëse dhe nga gazi i liruar rus, për t’i bërë industritë e veta prodhuese dhe minierat më atraktive dhe më konkurruese për investitorët. Por, sanksionet e Perëndimit dhe trazimi i tregut kanë bërë që çmimi i gazit rus të rritet.
Kjo ka bërë që Vuçiqi të jetë në udhëkryq, të zgjedhë mes nevojës për ta përmirësuar sigurinë energjetike të Serbisë duke shtuar centralet bërthamore, dhe vëmendjes gjeopolitike që sjell vendi me të cilin Beogradi vendos të bashkëpunojë.
Zyrtarët serbë i kanë shqyrtuar mundësitë vazhdimisht, pasi janë takuar tashmë në prill me kompaninë britanike Rolls-Royce, si dhe Electricite de France (EDF), kompaninë shtetërore franceze, ku e nënshkruan një memorandum “për vlerësimin e potencialit për zhvillimin e programit bërthamor civil në Serbi”.
Në qershor, Ministria e Energjisë e Serbisë tha se po i “vendos gur themelet” për vlerësimin e partneritet me EFD-në.
EDF-ja nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë në pyetjen se çfarë nënkupton bashkëpunimi me Serbinë, por, ndërkohë, Kina është futur në valle.
Korporata Kombëtare Bërthamore e Kinës (CNNC) mund të furnizojë me reaktorë të vegjël modularë (SMRS), për të cilët ithtarët thonë se janë më pak të vështirë për t’u ndërtuar dhe mund t’i përshtaten më mirë një vendi si Serbia, e cila ka nevojë për centrale bërthamore më modeste.
Një opsion tjetër është blerja e aksioneve në centralin bërthamor Paks 2, i cili është në ndërtim e sipër ende. Ky central është një projekt i përbashkët ruso-hungarez i nisur më 2014, që ndodhet rreth 100 kilometra në jugperëndim të Budapestit, i cili mund të dërgojë rrymë në jug të Serbisë.
Ministria serbe e Energjisë tha për REL-in se është duke i shqyrtuar të gjitha partneritetet e mundshme.
“Pas ndryshimit të kornizës legjislative, Serbia do ta analizojë potencialin për bashkëpunim në nivel rajonal dhe ndërkombëtar me vende të cilat kanë program të zhvilluar bërthamor, me Kinën, Francën, Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Japoninë dhe vendet e tjera të rëndësishme”, tha ajo./REL