Teksa Shqipëria po përgatitet për ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve që do të luhet nesër me Lituaninë, UEFA ka caktuar 43-vjeçarin ukrainas Sergej Bojko si gjyqtarin e sfidës me rivalët balltik.

Ai ka marrë stemën e FIFA-s në vitin 2011 ndërsa ka arbitruar në karrierë gjithsej 192 ndeshje. Për sa i përket kompeticioneve europiane, ukrainasi ka vendosur drejtësinë në 48 takime të të gjitha garave të UEFA-s, ndërsa si gjyqtar i FIFA-s ka arbitruar 11 takime ndërkombëtare (3 ndeshje kualifikuese Botërori dhe 8 miqësore).

Mesatarisht, Bojko vendos 4 kartona të verdhë për ndeshje dhe ka nxjerrë nga xhepi  26  herë kartonin e kuq gjatë gjithë karrierës. Sfidën Shqipëri-Lituani në “Air Albania” ai do ta gjykojë së bashku me Volodimr Volodin, Andrij Skripka (arbitra të linjës), ndërsa gjyqtar i katërt është caktuar Jevjen Aranovski, të tre ukrainas.