Një burrë i moshuar ka rënë për vdekje në një gropë që kishte hapur vetë në dyshemenë e kuzhinës së tij në Brazil, pasi ishte i bindur se nën të ishin fshehur florinj.
71 vjeçari Joao Pimenta da Silva, ra aksidentalisht në galerinë që kishte gërrmuar vetë, sipas raportimeve vendase, “kur humbi ekuilibrin në karrigen e tij lëkundëse”.
Fqinjët thonin se burri ishte fiksuar me idenë se nën shtëpinë e tij në qytetin e Ipatinga ishin fshehur florinj dhe kishte më shumë se një vit që gërmonte për t’i arritur.
Fqinj i të ndjerit Arnaldo da Silva tregonte për mediat lokale: ‘Joao gërrmonte edhe vetë dhe punësonte të tjerë për të gërmuar te gropa e tij”.
“Ai nisi të paguante punëtorë 70 Real ($13) në ditë kur gropa ishte ende e cekët, dhe sa më thellë shkonte aq më shumë rriteshin kostot”.
“Nga fundi ai duhet të paguante rreth $100 këdo që hynte në gropën e thellë për të nxjerrë dheun.
Më pas kishte hasur një gur të madh në gërmime dhe nuk po avanconte më, aq sa fliste për të gjetur dinamit për të vijuar punën”.
Fqinji tha më tej se Joao tregonte se një “shpirt” i kishte treguar për pasurinë e fshehur nën shkëmb, dhe se ai ishte përpjekur ta paralajmëronte të hiqte dorë, por nuk ia kishte vënë veshin, shkruan DailyMail
Por tragjikisht gërmuesi i floririt ra në gropë per vdekje më 5 janar.
Zjarrfikësit konfirmonin marrjen e njoftimit nga zona Betania për rënien e burrin nga 40 metra në gropë, por nuk arritën të bënin gjë për të shpëtuar jetën e tij, shkruajnë mediat vendase.
Fotot e gropës së gërmuar tregojnë se hapja e saj është rreth gjysmë metri e gjerë por thellësia arrin deri në 10 kate ndërtesash, sipas shtypit brazilian.
Raportimet thonin se viktima ka rrëshkitur teksa përpiqej të fiksonte një platformë të drunjtë, ndërsa të tjera burime spekulonin se ai përdorte një karrige lëkundëse për të hyrë në gropë nga e cila kishte rënë poshtë.
Trupi i tij u rekuperua nga shërbimet e emergjencës, të cilët thanë se kishte pësuar plagë të rënda në kokë e në këmbë.
Kreu i zjarrfikësave Luís Filipe de Miranda, tha për të përditshmen Estado se Silva duhet të ketë pasur eksperiencë me gërmimet dhe megjithëse nuk kishte mjete të shumta, tuneli vertikal i hapur ishte i përkryer.