Nga Shefqet Kërcelli*
Nderim dhe respekt për popullin shqiptar, që pavarësisht diktaturës së egër shumëvjeçare e ruajti në shpirt dhe mendje dëshirën për tu anëtarësuar në aleancën Veri-Atlantike, si aleanca më e suksesshme në historinë botërore, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në periudha të vështira të destabilitetit dhe pasigurisë në vende e rajone të ndryshme të botës. Për shqiptarët, paqja është e shenjtë dhe populli ynë e ka çmuar atë në shekuj. Ndaj populli ynë mbas viteve ’90, në masën mbi 90% , më shumë se popujt e tjerë, e shihte dhe e sheh këtë aleancë si garantin e paqes në botë. Si rezultat i bindjes së popullit tonë në vlerat e aleancës, Shqipëria ishte nga vendet e para që u bë pjesë aktive e iniciativës së Partneritetit për Paqe (PfP), pavarësisht vështirësive ekonomike, resurseve të kufizuara dhe brishtësisë së institucioneve demokratike që po kalon dhe aktualisht, në këtë periudhë të stërzgjatur tranzicioni. Më në fund Samiti i Bukureshtit i 2 Prillit 2009, përligji ëndrrën thuajse 50 vjeçare të popullit shqiptar, që tashmë është i ndërgjegjshëm për të fituar kohën e humbur në rrugën e tij të integrimit në shoqërinë moderne, nëpërmjet përfshirjes e angazhimit në strukturat e sigurisë Euroatlantike.
Nderim dhe respekt për marinarët tanë civilë dhe ushtarakë që me veprimet e bindjet e tyre, herë fshehurazi dhe herë haptazi, zgjuan ndërgjegjen e qytetarëve për të vërtetën e aleancës dhe rolin e saj në shërbim të paqes. Madje si marinarët e thjeshtë ashtu dhe drejtuesit e tyre mbas viteve ’80, në masë të madhe i shikonin veprimet e diktaturës kundër aleancës si qesharake. Ndërsa kryenin detyrën të bindur verbërisht, në mentalitet e zemër admironin aleancën. Detarët tanë pavarësisht se i binin deteve dhe oqeaneve kryq e tërthor, nuk krijuan asnjë incident me anijet e NATO-s e Flotave të SHBA kudo në botë.
Nderim dhe respekt për të gjithë ish-të burgosurit e të persekutuar politikë, që pavarësisht kalvarit e vuajtjeve pafund në birucat e diktaturës, mbajtën gjallë ëndrrën se dikur Shqipëria do jetë pjesë e Aleancës.
Nderim dhe respekt për shqiptarët e diasporës që me përpjekje të shumëllojshme përkrahën anëtarësimin e vendit tonë në NATO, madje shumë prej tyre kanë qenë ushtarakë të aleancës që në krijimin e saj, por si shtetas të tjerë.
Nderim dhe respekt për omeraxhatorët e porteve tona që me dashamirësi pritën pandolat e lidhën cimat e anijeve të NATO-s, duke lehtësuar e siguruar bregëzimin e tyre në portet tona.
Nderim dhe respekt për kuadrot tanë detarë, të cilët më 4 dhjetor 1992, nënshkruan për herë të parë marrëveshjen e bashkëpunimit me NATO-n, për embargon ndaj ish-Jugosllavisë, dokumenti i parë historik i bashkëpunimit me aleancën, pavarësisht se ne nuk ishim vend anëtar. Nderim dhe respekt për ekuipazhet e 2 çifteve katra silurues dhe 3 kuadrateve të marinarëve, që në pranverën e vitit 1993, pritën bujarisht e me ceremonial të përsosur ushtarak, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Manfred Vërner dhe Komandantin e NATO-s, Gjeneral me 4 yje, Vinsent.
Nderim dhe respekt për të gjithë ushtarakët shqiptarë, marinarë, gjitharmësh dhe ajrorë, që morën pjesë në stërvitjen e parë të përbashkët paqeruajtëse SAR-EX-01, me marinsat e Flotën e SHBA, që shënon dhe ballafaqimin e parë miqësor ushtarak me ushtarakët e NATO-s, pas gjysmë shekulli Lufte të Ftohtë.
Nderim dhe respekt për të gjithë qytetarët shqiptarë, nga Durrësi në Vlorë, nga Saranda në Shëngjin, nga Kavaja në Shkodër e Tiranë, gjithandej Jug-Veri, Lindje-Perëndim, që në fillim vitet ’90, u ngritën mbi konservatorizmin e kohës dhe bujarisht zbatuan traditën e sofrës e besës shqiptare për mikun e parë, që në këto raste ishin ushtarakët e NATO-s.
Nderim dhe respekt për Forcat tona të Armatosura, që në këto vite kanë qenë pjesë përbërëse e operacioneve dhe aktiviteteve kryesore të NATO-s, madje duke dhënë dhe dëshmorët e parë, si kapiten Feti Vogli, një hero i përbashkët i popullit shqiptar dhe aleancës. Ndërkohë pjesëmarrja e FA Shqiptare në veprimtaritë e Aleancës Atlantike dhe vendet partnere të saj është një përvojë e shkëlqyer dhe tepër e dobishme, që tregon se ne ndajmë vlera të përbashkëta me NATO-n, njëkohësisht jemi në gjendje që këto vlera t’i vëmë në funksion të paqes e sigurisë.
Nderim dhe respekt për të gjithë ushtarakët e liruar dhe në pension, që me dhimbje, maturi e pjekuri përkrahën proceset demokratike në vend, si dhe reformat e ndërmarra në kuadrin e reformimit e transformimit të FA.
Nderim dhe respekt për korpusin e rinj të ushtarakëve shqiptarë që me përkushtim e profesionalizëm po punon për të realizuar standardet e kërkuara nga aleanca për FA shqiptare.
Nderim dhe respekt për të gjithë ushtarakët shqiptarë që në këtë moment janë pjesë e misioneve të përbashkëta me aleancën, duke lartësuar emrin, flamurin, nderin dhe krenarinë e vendit të shqiponjave.
Nderim dhe respekt për popujt e vendeve të aleancës që me mjete politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, ndihmuan për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Kosovës në veçanti dhe asaj shqiptare në përgjithësi, duke i dhënë frymëmarrjen e munguar në shekuj kombit shqiptar.
Nderim dhe respekt për popullin amerikan, për ushtrinë amerikane, me të cilët miqësia dhe bashkëpunimi shekullor ka qenë tepër domethënës dhe i dobishëm, sepse ka reflektuar paqe, begati, siguri dhe stabilitet për kombin shqiptar, ashtu siç ëndërronin rilindësit tanë. Gati 60 -vjet më vonë mbas Evropës, SHBA i dhuruan kombit shqiptar një plan Marshall tepër të veçantë, që po e ndihmon atë të kapërcejë me sukses sfidat gjeopolitike të mijëvjeçarit të ri, në kohë dhe hapësirë. Prania e SHBA në rajonin tonë është pjesë e pandarë e procesit të sigurisë dhe i shërben paqes e stabilitetit në rajon e Evropë. Ndaj ne shqiptarët, për këtë, duhet t’i jemi mirënjohës popullit amerikan në jetë të jetëve.
Nderim dhe respekt për të gjithë gazetarët tanë, të cilët gjatë këtyre viteve, me vërtetësi e realizëm, kanë përcjellë aktivitetet e përbashkëta të FA e shtetit shqiptar me vendet e aleancës.
Së fundmi, nderim dhe respekt për të gjithë shqiptarët që e festuan 2 prillin, 5-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, së bashku, në datën e caktuar, në vendin e duhur, pa paragjykimet shumëvjeçare që na kanë shkaktuar humbje brezash.
* Ish-ushtarak, posaçërisht për “Dyrrah”-un





