Më 1 korrik, Suedia miratoi një ligj të ri që lejon gjyshërit të marrin përgjegjësinë nga prindërit e rinj, duke marrë leje prindërore me pagesë ndërsa kujdesen për nipërit e mbesat e tyre. 

Procedura, e cilësuar si “revolucionare” nga shumëkush, mund të kryhet maksimumi për tre muaj, në varësi të situatës, duke filluar nga viti i parë i jetës së fëmijës.

Ligji vjen pasi parlamenti suedez, Riksdag me 349 vende, miratoi propozimin e qeverisë për transferimin e ndihmës prindërore dhjetorin e kaluar.

Pika e kthesës vjen 50 vjet pasi vendi skandinav u bë i pari në Botë që prezantoi lejen prindërore me pagesë për baballarët dhe jo vetëm për nënat.

Sipas ligjit të ri, prindërit mund të transferojnë një pjesë të lejes prindërore te gjyshërit. Sipas vlerësimeve të Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore, një agjenci qeveritare që administron sistemin e sigurimeve shoqërore, një çift mund të transferojë maksimumi 45 ditë te gjyshërit, ndërsa një prind i vetëm mund të transferojë deri në 90 ditë.

Suedia, një vend me 10 milionë banorë, është i njohur botërisht për sistemin e saj të sigurimeve shoqërore të financuar nga taksapaguesit, nëpërmjet të cilit ka ndërtuar me breza një shoqëri në të cilën qytetarët kujdesen që nga lindja deri në vdekje. Burrat dhe gratë gëzojnë të drejtën për të munguar plotësisht në punë kur lind një fëmijë. Shtesa prindërore paguhet për 480 ditë, ose afërsisht 16 muaj, për fëmijë. Nga këto, kompensimi për 390 ditë llogaritet në bazë të të ardhurave të plota të një personi, ndërsa për 90 ditët e mbetura, njerëzit marrin një shumë fikse prej 180 korona (rreth 16 euro) në ditë.