Shkencëtarët në Universitetin Tsinghua në Kinë kanë krijuar robotin amfib më të vogël dhe më të lehtë në botë, i cili ka aftësinë të ndryshojë formë sipas nevojës dhe të përshtatet në mjedise të ndryshme.
Roboti është vetëm 9 centimetra i gjatë, peshon 25 gramë dhe mund të lëvizë me një shpejtësi deri në 1.6 metra për sekondë. Falë një aktivizuesi miniaturë të projektuar rishtazi, ai është në gjendje të “kyçet” në konfigurime specifike dhe të transformohet për të ecur, fluturuar apo për t’u përshtatur në terrene të vështira.
Roboti përbëhet nga disa komponentë të vegjël – rotorë, motor, kontrollues dhe burim energjie – të gjitha të lidhura në një sistem modular që funksionon me aktivizues të avancuar.
Sipas profesorit Zhang Yihui, i cili drejtoi ekipin hulumtues, kjo shpikje mund të hapë rrugën për përdorime të shumta në fushën e eksplorimit, kërkim-shpëtimit apo teknologjisë mjekësore.