Tiranë, 9 shtator 2014 – Si inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, ajo kishte detyrën të kontrollonte çdo gjë që ndodhte.

Por, Elivar Golemi paralajmëronte që para emërimit të saj, se nuk do të bënte rolin e policit.

Do të dëshiroja që të mos e shikoja këtë pozicion siç deri tani është parë, në rolin e policit të bankës. Do të përpiqem që këtë funksion ta shoh më bashkëpunues me pjesën tjetër të menaxhimit të bankës.

Është një funksion i pavarur brenda bankës që raporton direkt te guvernatori. Ai duhet të jetë një krah në ndihmë të tij”, ka thënë Golemi para Komisionit parlamentar të Ekonomisë, në mbledhjen e 2 shkurtit 2011, raporton “GSH”.

Madje, ajo thoshte se do raportonte edhe para Kuvendit.

Do të përpiqem për ruajtjen e marrëdhënieve dhe raportimin pranë Këshillit Mbikëqyrës apo Kuvendit”, deklaroi asokohe ajo.

Në fakt, pas vjedhjes së BSH-së, ajo refuzoi dy herë që të raportonte para Kuvendit.

Elivar Golemi u arrestua të premten në darkë së bashku me guvernatorin Fullani, ndërkohë që dje gjykata dha ndaj të dy funksionarëve të lartë të Bankës masën e sigurisë "Arrest me burg".

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/