Në sistemin diktatorial të Koresë së Veriut, qëllimi është që të “zvogëlohet ndikimi perëndimor”. Kështu, gratë mund të zgjedhin për veten e tyre 18 modele të stileve të flokëve të miratuara nga qeveria, ndërsa burrat 10. Kur dikush rri ulur në karrigen e floktarit, duhet veç të thotë: “Qethmë sipas numrit 7”! E njëjta vlen edhe për meshkujt.

Flokët duhet të përshtaten me rrobat. Kështu, femrat që zgjedhin rrobat tradicionale, kanë flokë të drejta, derisa të rejat me rroba “moderne”, duhet të zgjedhin një stil më të “relaksuar”:

Ka një dallim të madh në mes të flokëve të grave të martuara dhe ato të pamartuara. Grave të martuara u preferohen flokët shumë të shkurta, derisa tjerat mund të kenë gërsheta, bishtaleca apo ndonjë kapëse në flokë.

As për burrat nuk ka përjashtim. Stacionet televizive nga Koreja e Veriut që nga viti 2005 transmetojnë emisionin e titulluar: “Të qethemi sipas stilit socialist të jetës”. Në këtë emision tregohet se meshkujt duhet të kenë gjithmonë flokë të shkurtra pas dhe zylyfe në të dy anët. Në kamerë shfaqet edhe kamera e fshehur në rrugët e Phenianit që ishte në “gjah” të “rebelëve” që nuk qethen sipas rregullave socialiste.

Çmenduria shkon deri aty sa që thuhet se flokët duhet të jenë të shkurtra për shkaqe shëndetësore, me arsyetimin bizar se “flokët e gjata vjedhin energji”. Burrat kanë zgjedhje prej dhjetë modeleve, ndërsa gjatësia është e caktuar: pesë centimetra – qethja çdo 15 ditë. Për të vjetrit ka një përjashtim: gjatësia e flokëve mund të jetë deri në shtatë centimetra.

Mirëpo, gruaja e diktatorit Kim Jong-un nuk i ka flokët sipas stilit socialist. Andaj, ka shpresa se Zonja e Parë, Ri Sol-ju, e cila në publik ka dalë në një komplet rrobash me dy pjesë (pra, jo uniformë), dhe flokë të lëmuara prapa, mund të jetë shpresë për ndryshime për gjeneratën e re. Por, një gjë e tillë vështirë të ndodhë.