Nga Veton Surroi

Ligji i Murphyt: “Çdo gjë që mund të shkojë keq, do të shkojë edhe më keq se ç’mendon”

1.

Kur kjo gazetë (Koha Ditore) filloi së botuari para njëzet e një vjetësh, stafit editorial, të lodhur nga provat e njëpasnjëshme të një projekti krejtësisht të ri – në kushte okupimi, mungese përvoje dhe improvizimi me teknologji të reja-ia shtova edhe një brengë plotësuese, madje mu kur ishim afër botimit të numrave të parë provues. Ia shtova Ligjin e Murphyt. Në pyetjen se çka ishte ky ligj (dhe kush dreqin është ky Murphy), shpjegova se ishte një thënie, tip aforizmi, që në SHBA quhej Ligji i Murphyt, e që formulohej kështu: “Çdo gjë që mund të shkojë keq, do të shkojë keq”.

Dhe, saktësisht, çdoherë kur ishim fare pranë rezultatit të dëshiruar, diçka do të dilte si pengesë- një prishje kompjuteri, një mungesë software-i, një rënie e energjisë elektrike, çfarëdo që në atë moment nuk kishim menduar se do të ndodhte e po ndodhte, për të nxjerrë me sukses numrin provues të gazetës. Që të gjitha që mund të shkonin keq e gjenin saktësisht atë moment për të shkuar keq.

Ligji pastaj u largua nga gazeta dhe pas një kohe u bë ligj aq i lidhur me Kosovën, saqë u sprovua çdo ditë të lume pas çlirimit të vendit. Në kthimin epokal të largimit të okupatorit nga vendi, të hapjes së mundësisë për liri, demokraci e vetëvendosje, nuk mbeti gjë e keqe pa ndodhur: vrasje të minoritarëve e të kundërshtarëve politikë, uzurpim të çdo gjëje publike, vjedhje industriale votash, instalim të sundimtarëve injorantë, vjedhje e keqpërdorim i parasë publike që tejkalon çdo normë kolonializmi, vendosje të kulturës së primitivizmit, zhvillim negociatash me Serbinë, duke vënë sovranitetin e vendit në tavolinë. Gjatë njëzet vjet çlirimi dhe njëmbëdhjetë vjet pavarësie ndodhën të këqija që as që mund të imagjinohej se mund të ndodhnin, dhe sot një vend i cili ka pësuar përpjekjen për gjenocid, në medie ndërkombëtare përmendet në saje të Gjykatës Speciale, që po i fton në Hagë të gjithë drejtuesit e UÇK-së, e cila qe themeluar për të zhvilluar dhe zhvilloi, brenda mundësive të veta, një luftë guerile kundër okupatorit.

Kosova qe kaq e lidhur me Ligjin e Murphyt, saqë me kohë e bëri edhe versionin e vet, Ligjin kosovar të Murphyt: “Çdo gjë që mund të shkojë keq, do të shkojë edhe më keq se ç’mendon”.

2.

Duhet të jetë, apo jo, Ligji kosovar i Murphyt ai që e çoi kryeministrin Haradinaj në dorëheqje – sepse fundja, asnjë qeveri e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë nuk e ka kryer mandatin e vet katërvjeçar – dhe më pas në aeroplan për në Gjykatën Speciale në Hagë? Ramush Haradinaj as që ka mundur të imagjinonte se pas shkuarjes dy herë në gjykime në Hagë, pas të cilave qe liruar nga akuzat, do të duhej të ballafaqohej edhe me një akuzë, dhe që sërish do të duhej të jepte dorëheqje nga posti i kryeministrit?

Në fakt, si Ligji origjinal i Murphyt, ashtu edhe versioni kosovar i tij nuk janë ligje e as që kanë gjë shkencore në to. Konstatimi se gjërat do të shkojnë keq, apo se do të shkojnë edhe më keq se ç’mendon, presupozon se “gjërat” kanë njëfarë fati (energjie a mendësie) autonom të vetin, të padiktuar nga rrethanat e jashtme. E kjo nuk përbën ligj e as shkencë, përbën rrëfim, gjegjësisht në këtë rast një aforizëm.

Ramush Haradinaj shkoi në Hagë, sepse për në atë Gjykatë Speciale është ftuar pothuajse e gjithë struktura komanduese e UÇK-së, dhe arsyeja kryesore pse është ftuar e tërë kjo strukturë komanduese mund të jetë për një intencë bazike të Prokurorisë: të vendosë çfarë ka qenë vendimmarrja komanduese në UÇK, rrjedhimisht, çfarë është përgjegjësia brenda zinxhirit komandues për krimet që janë evidencuar si të kryera prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Dhe, ndonëse R. Haradinaj dha dorëheqje si kryeministër që, në interpretimin e tij, të shkonte si qytetar dhe ish-komandant e jo si kryeministër, ai atje shkoi si kryeministër, ndonëse në dorëheqje, por ende si kryeministër në detyrë. Dhe, që me aktin e dorëheqjes paralajmëroi se do të kandidojë sërish për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Rrjedhimisht, dorëheqja e Haradinajt nuk kishte të bënte me Ligjin e Murphyt, as me versionin kosovar të tij, se njëfarë reje kobi i përcjell Kosovën dhe luftëtarët e saj. Për shembull, ka mundur të jetë një vlerësim i mirë politik: meqë kjo është Qeveri që kaherë ka humbur legjitimitetin e vet politik, dhe të vetmen gjë me të cilën mund të krenohet është pjesa e rrëfimit epik (mbrojtja e sovranitetit prej ideve të ndarjes) pse mos t’i shtohet këtij rrëfimi edhe një dozë emocionale që krijon një shtesë përkrahjeje emocionale nga popullata – e këto janë të nevojshme për zgjedhjet.

3.

Ligji i Murphyt – kur t’i hiqet fatalizmi, se gjërat janë të parapërcaktuara të shkojnë keq – ka një interpretim të vetin real. E ai është se nëse nuk investon mund dhe mendje që gjërat të bëhen mirë, atëherë është krejtësisht e natyrshme që të shkojnë keq. Në shembullin e Kosovës, mungesa e mundit dhe e mendjes në shoqërinë kosovare dhe në praninë ndërkombëtare kanë krijuar hapësirë që një pakicë politike, e mirorganizuar dhe e dhunshme, të vrasë minoritarë e kundërshtarë politikë, të uzurpojë pronë private e hapësirë publike, ta kapë shtetin e ta vjedhë dhe ta shndërrojë në objekt pazari në negociata me Serbinë. Mungesa e mundit dhe e mendjes ka mundësuar që kjo pakicë e mirorganizuar dhe e dhunshme të vendosë sundimin e vet të primitivizmit, vulgaritetit dhe arbitraritetit.

Pra, nuk ekziston kurrfarë parapërcaktimi që gjërat të shkojnë keq në Kosovë (apo kudo tjetër); ekziston parapërcaktimi që nëse i hapet mundësia, e keqja do ta shfrytëzojë hapësirën. Qeni i keq, thotë populli, e sjell ujkun në torishtë; populli nuk e thotë, por është e nënkuptueshme, ujku nuk do të vinte në torishtë po të dinte se aty do të jetë roja e mirë.

Nuk ekziston një arsye fataliste pse që nga shpallja e Pavarësisë së vendit asnjë Qeveri e Kosovës nuk e përfundon mandatin e vet katërvjeçar. Që të gjitha këto qeveri kanë pasur si bosht të vetin PDK-në, një organizatë e cila njihet që pos veprimtarive të tjera merr pjesë edhe në zgjedhje (me aftësi të mëdha, industriale, për të rritur numrin e votave tej numrit të votuesve). Që në start, çdo qeveri që është formuar me PDK-në si përbërës ka pasur deficit legjitimiteti demokratik dhe rrjedhimisht është dashur të arrijë fundin e parakohshëm.

Nuk ekziston një arsye fataliste pse vazhdon kjo përpëlitje tashmë mbi dhjetëvjeçare negociatash me Serbinë, përpëlitje që i bën dëm konsolidimit të vendit. Para nëntë vjetësh Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha të drejtë Kosovës në shpalljen e pavarësisë, por kryeministri i vendit shkoi në Bruksel për të negociuar me parimet që relativizonin deri në mohim mendimin e GJND-së. Pse duhet ta respektojë Serbia Kosovën kur Kosova nuk i respekton veten dhe të drejtën e fituar në GJND?

Nuk ekziston një arsye fataliste që i detyron njerëzit të ikin prej këtij vendi. Nëse pushteti, për interesa korruptuese apo të ngjashme, fut dy miliardë euro të parasë publike në autostrada, atëherë ka mundësi të vetme gjenerimi të rrugëve njëkaheshe të largimit të të rinjve. Asfalti nuk hap vende pune, por ndihmon që vendimi për ikje të merret më shpejt.

Nuk ekziston, rrjedhimisht, një forcë okulte brenda nesh apo mbi ne, që bën që të kemi një shumicë të rinjsh që nuk kuptojnë çka lexojnë, një popull të pambrojtur nga sistemi i sigurimeve sociale e mjekësore (i vetmi në Evropë), një tërësi tokësore që jeton në ambient të degraduar. Që të gjitha janë prodhime të një elite të kriminalizuar së cilës ne ua hapëm derën e torishtës.

4.

A ka mundësi që gjërat të shkojnë edhe më keq, si në “Çdo gjë që mund të shkojë keq, do të shkojë edhe më keq se ç’mendon”?

Natyrisht. Por tashmë duhet t’i shtohet aneksi Ligjit kosovar të Murphyt: “Çdo gjë do të shkojë më keq, edhe më keq se ç’mendojmë, nëse ne lejojmë që të jetë ashtu”. Sa thjesht.

/KOHA/