Ish-lideri i Partisë Socialdemokrate në pushtet në Rumani, Liviu Dragnea dhe dy fëmijët e tij nuk do të hyjnë dot në Shtetet e Bashkuara. Dragnea, njëri prej njerëzve më të fuqishëm të vendit u shpall publikisht “persona non grata”, nga Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, për shkak të akuzave që e lidhin “me përfshirje në akte të rënda korrupsioni”.

Ligji amerikan e lejon që kreu i departamentit të shtetit t'i njoftojë në kanale publike ose private ndalime të tilla për zyrtarë të caktuar dhe familjet e tyre.

Fakti që në këtë rast u preferua rruga publike e përcjelljes së njoftimit, konsiderohet një sinjal i fortë që dërgohet nga Washingtoni për zyrtarët e shënjestruar, e të tjerë që janë nën vëzhgim.

Në lupën e DASH-it duket janë individë të veshur me pushtet e që konsiderohen si të përfshirë në afera të rënda korruptive në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Tre vendime të forta mori departamenti në rastin e Shqipërisë, duke shpallur non grata Tom Doshin, Adriatik Llallën dhe Vangjush Dakon, si dhe familjarët e tyre.
Rasti i Dragneas dëshmon se fushata e verifikimit të aferave korruptive nga amerikanët është shtritrë në të gjithë rajonin.

Rumania është një prej vendeve më të korruptuara të Bashkimit Europian dhe PSD-ja është parë si kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit nga BE, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe mijëra gjyqtarë rumunë që kur mori pushtetin në 2017-tën.

Prokurorët atje arritën të shpallin fajtorë një sërë ligjvënësish, ministrash dhe kryetarësh komunash, përfshirë dhe vetë Dragnean. Por në muajin korrik, Gjykata Kushtetuese rumune mbështeti ankimimin e PSD që argumentonte se gjykimet paraprake për korrupsionin duhet të ishin dëgjuar nga kolegjet gjyqësore të Gjykatës së Lartë, të specializuar për rastet e ryshfetit.

Kjo nënkupton se rastet e korrupsionit të cilat nuk janë finalizuar deri në janar mund të rigjykohen, por për një vendim të tillë nuk u dha ndonjë arsyetim i detajuar ligjor. /TCH