Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ai i Serbisë, Timosllav Nikoliç, në ditët në vijim mund t’i shtrëngojnë duart” me njëri tjetrin, duke e realizuar kështu takimin e parë të një presidenti kosovar me një president serb. Edhe Presidenca e Kosovës pohon se takimi do të jetë së shpejti.
Takimi i mundshëm i presidentes së Kosovës me atë të Serbisë deri më tani është kundërshtuar ashpër nga drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët insistojnë se një takim i tillë do ta paraqiste Serbinë si vend që ka raporte të mira me shtetet fqinje, dhe rrjedhimisht kjo do t’ia mundësonte asaj përafrimin me Bashkimin Evropian dhe integrimin në mekanizmat e BE-së.
Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, thotë se presidentja e Kosovës, Jahjaga, ka dalë nga zarfi, dhe jo nga votat e qytetarëve, dhe si e tillë vepron ashtu siç i thonë të tjerët, dhe jo ashtu siç duhet të veprojë.
“Takimi i radhës i presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, në vazhdën e këtyre konsensuseve që kanë ndodhur dhe pa ndërrimin e qasjes nga Serbia, është vetëm nënshtrimi i radhës që po ia bënë institucioni i Kosovës, institucioneve të Serbisë” tha ai.
Sidoqoftë, për analistët politik këtë e shohin si hap pozitiv. Analisti Nexhmedin Spahiu, thotë se është në interes të Kosovës që Jahjaga të takohet me Nikoliçin, pasi sipas tij, ky veprim do të ishte një hap përpara drejt njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.
“Edhe pse Nikoliçi nuk e takon Jahjagën si presidente të shtetit, por si një përfaqësuese të komunitetit shqiptarë, prapë se prap kjo ka rëndësinë e vet, është një hap drejt normalizimit dhe një hap drejt njohjes së Kosovës” thotë Spahiu.