Edhe pse ka shumë vite larg fushës së blertë, ai ka mbetur po i njëjtë, luftarak, i pamposhtur, fjalëpak, krenar dhe i thjeshtë.Artur Lekbellon, legjendën e futbollit shqiptar të viteve ‘80-‘90 e gjetëm pranë shtëpisë së tij në qytezën Perea, 30 kilometra në lindje të Selanikut në një moment që kundërshtari i tij i ri, një sëmundje e rrallë dhe shumë e rrezikshme për jetën, po e lufton prej disa vitesh në kushte të pabarabarta.“Shenjat e para janë paraqitur shumë vite më parë, pothuajse gjashtë vite më parë. Fatkeqësisht një nga neurokirurgët që më ndiqte më tha që mund të jetë një nga sëmundjet e rralla që qëllon një në 1 milion njerëz. Nuk ke dhimbje, por nervat nuk ushqejnë qelizat e muskujve dhe muskujt dalëngadalë tkurren dhe që çon në paralizë dhe jetëgjatësia shkon nga 2 deri në 4 vite më së shumti”, thotë ish-futbollisti i Kombëtares.

Lekbello ka si armë ndaj sëmundjes vetëm përkrahjen e miqve grekë, apo shqiptarë dhe karakterin e tij, pasi një diagnozë e plotë për analiza specifike në klinika të huaja kushton rreth 10.000 euro, ndërsa pensioni i invalidit që merr është vetëm 420 euro, ndaj është surprizuar kur ka mësuar edhe sensibilizimin për rastin e tij që kanë treguar dy ekipet e Skënderbeut dhe Tiranës në ndeshjen midis tyre në qytetin e Korçës.“I falenderoj shumë për nismën që kanë marrë, në radhë të parë Presidenti i klubit të Korçës, meqë ndeshja zhvillohet në Korçë. Faleminderit shumë për ndihmën!”, thotë ai.Ish-futbollisti shqiptar ndjehet tejet i prekur nga organizimi i një ndeshjeje në datën 17 maj në Selanik midis veteranëve të ekipit të Arisit, ku luajti prej 1991-1997 dhe ish-futbollistëve të njohur të kombëtares greke, kampione e Europës së vitit 2004, me qëllim mbledhjen e ndihmave për terapinë e tij.“Zoti një fjalë të mirë që thotë për njeriun thotë të duam njëri-tjetrin”, shprehet ish-futbollisti. Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla është shprehur e gatshme për të nisur një fushatë sensibilizuese për të grumbulluar fonde në ndihmë të Lekbellos.