Në atentatin që ndodhi në Shkozet të Durrësit mbetën të plagosur tre persona, një nga të cilët prokurori Arjan Ndoja.
Personat e tjerë të plagosur janë Landi Muharremi ose siç njihet me emrin zyrtar Aleksandër Laho 48 vjeç, i cili së bashku me prokurorin janë jashtë rrezikut për jetën.
Landi Muharremi i njohur si “i forti i Sukthit”, ishte një prej personave që u akuzua si i përfshirë në rrahjen barbare ndaj biznesmenit libanez, Faad Mitri.
Më 10 shtator të 2016-s, Mitri u dhunua nga disa persona, të cilët e ndaluan në rrugë teksa ishte duke udhëtuar me makinë. Skena e tmerrit ndodhi në sy të familjes së biznesmenit. Shkak për ngjarjen ishte bërë një konflikt pronësie në Gjirin e Lalëzit.
Ndërkohë personi i tretë i mbetur i plagosur në atentat është Andi Maloku 30 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.





