Me tone thuajse “apokaliptike” avokati Spartak Ngjela ka paralajmëruar se deri në marsin e vitit të ardhshëm dy partitë kryesore politike do të shpërbëhen nga reforma në drejtësi, e udhëhequr nga SHBA dhe BE.

Përmes një statusi në rrjetin social, avokati shpjegon se thelbi i korrupsionit në Shqipëri janë dy partitë e mëdha politike, të cilat sipas tij janë jakobinë. Por Ngjela shton se të gjithë e dinë se reforma në drejtësi e amerikanëve dhe evropianëve është “anti-jakobiniste” dhe si e tillë e ka kuptuar që me eliminimin e PS e PD, do të marrë fund dhe sistemi i korrupsionit i cili ka kapur çdo qelizë të shtetit shqiptar.

Por Spartak Ngjela ka dhe një paralajmërim për kryeministrin dhe ish kryeministrin Sali Berisha.

Statusi i plotë i Spartak Ngjelës:

Në fillim të vitit 2018 e deri në mars të këtij viti fillon çmontimi i jakobinizmit të korruptuar shqiptar.

Shqipëria në vitin 1992 kaloi nga një tirani bolshevike terroriste, në një jakobinizëm korruptiv antidemokratik.

l.

Çfarë është jakobinizmi aktual shqiptar?

Sot në Shqipëri janë dy parti jakobine – Partia Demokratike dhe Partia Socialiste: ato duhet të shpërbëhen; dhe do të shpërbëhen nga Reforma.

Tani nuk është më sekret të thuhet: Reforma në Drejtësi është formuluar që të shpërbëjë përfundimisht jakobinizmin e korruptuar shqiptar.

ll.

Bolshevizmi shqiptar si tirani e egër hoxhist ra në vitin 1991 dhe gjendjen e morën në dorë jakobinët e rinj: Partia Demokratike.

Jakobinizmi menjëherë u dominua nga një figurë që krijoi një represioni të ri në Shqipëri: Sali Berisha.

Por ky u rrëzua me revolta në vitin 1997 dhe përsëri nga një parti jakobine: Partia Socialiste, sepse jakobinizmi i djathtë u rrëzua me jakobinizëm të majtë.

Që nga ky moment në Shqipëri jakobinët e majtë dhe jakobinët e djathtë kanë ndërruar vendet dhe kanë sunduar me anë të korrupsionit.

Sundimi i tyre është një jakobinizëm korruptiv sepse demokracinë nuk e kanë mposhtur me tirani por me korrupsion.

Po, pikërisht këtu, dy politika të mëdha, politika amerikane dhe politika gjermane, që kanë interesa të mëdha në Shqipëri strukturuan ligjërisht e deri në kushtetutë demokracinë e re në Shqipëri.

lll.

Ekspertë amerikanë dhe ekspertët gjermanë konstatuan se korrupsioni shqiptar ka origjinë jakobine, dhe e dinin që çdo reformë demokratike është antijakobiniste. Kështu që ishte shumë e thjeshtë: duke rrëzuar jakobinizmin shqiptar ke eliminuar edhe korrupsionin shqiptar.

Ja kjo në thelb është Reforma në Drejtësi, e cila është evidente se, pasi të eliminojë korrupsionin në organet e drejtësisë, do të eliminojë të gjithë klasën politike të korruptuar.

Brenda muajit mars 2018 Berisha, Rama, Basha dhe të afërmit më ta do jenë të eliminuar nga Reforma njëlloj si gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar para tyre.

IV.

Por çdo të ndodhë me të dy partitë jakobine: PS dhe PD?

Ato duhet të marrin masa që Tani, që të mos shpërbëhen. Por, a kanë njerëz që mund ta bëjnë këtë?