Austria ka bërë kërkesë në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës.

Ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri tha të martën se kodi telefonik i Kosovës do të jetë 383 dhe marrja e tij i mundëson Kosovës njohje dhe sovranitet ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit, që do të thotë se Kosova konsolidon identitetin e vet shtetëror në fushën e telekomunikimeve.

Aktualisht, Kosova shfrytëzon kodin telefonik të Serbisë për telefoninë tokësore, ndërsa kodet e Sllovenisë dhe të Monakos për telefoninë celulare.

ITU pritet t’ia alokojë Kosovës kodin telefonik në muajin mars, ndërsa thirrjet e para pritet të ndodhin nga mesi i muajit prill.

Autoritetet thonë se, përfitimet ekonomike janë të mëdha pasi që operatorët në radhë të parë nuk do të jenë të detyruar që të paguajnë kosto të larta financiare, për shkak të mungesës së kodit që deri më tani i ka kushtuar Kosovës mbi 200 milionë euro.