Nga Bujar Qesja
Një ditë e veçantë kjo e jona, ku me doktorin e mrekullive të mirin Miri Hotin dhe angazhuesin pasionant, të përpjekjeve në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në raport me pushtetin vendor Ilir Ngresi, u ndodhëm në çudinë e një mjedisi të veçantë të përgatitur nga Luan Jaupi.
Ky mik i madh i joni, ka çfaqur me kohë pasionin dhe vetmohimin për fotografinë artistike. Arkiva e tij ngjason me një det të thellë dhe të gjërë. Pasioni i tij i kalon përmasat dhe çfaqet me një prezantim të rrallë dhe konkurues. Ky Luan, djali i luanit të detit Adem Jaupi, me fantazinë e një njeriu hipnotizues, godet fort kureshtjen e tre burrave që kalojnë pragun e shtëpisë së tij, për të shijuar miqësinë e rrallë, të një Luan Jaupi njerëzor dhe shpirtmadh.
Tavolinë e vogël, me pak verë e pak meze, por me shumë dashuri të marrë nga lëngu jetësor i punës së jashtëzakonshme që kryen Luan Jaupi. Nuk e quaj shkrim këtë të sotmin, pasi kam në plan diçka më të plotë, por edhe këto rradhë janë ekstra, për një punë ekstra dhe për një prezantim ekstra, të një muzeu të rrallë dhe historik. Luani me trup të imët, por me energji që ngjason me turbinë të fuqishme, jep dritën e një pune kolosale që zbeh shumë hije harrese.
Janë grumbulluar relike, vlera të materialeve të ndryshme, të njerëzve të gjallë dhe jo të tillë, sende të rralla që koha i ridimensionon dhe i jep kostot e merituara. Pasioni i këtij njeriu është veçantë, që po tregohet mjeshtër i vërtetë i punës së frytshme dhe gjithnjë e komanduar nga fuqia e zellit dhe e vullnetit.
-Meze më të mirë, i flas me humor Luanit, nuk kishe se si të na e jepje. E kam fjalën, ngas sërish mendimin, me pasuritë mahnitëse që na ofron ky mjedis i rrallë dhe befasues.
Një gotë verë, shumë mrekulli. Pak muhabet dhe shumë surpriza, që na ofron puna pasionante dhe e jashtëzakonshme e Luan Jaupit. Luani njeri praktik, ta bën mbarë t’ia kuptosh edhe humorin, edhe shakatë, por edhe problematikën që ofron.
Por veshi ynë nuk ka ndërmënd të kërrejë konkluzione, për të hedhur ide dhe mendime. Po gëzohemi, e po kënaqemi me mrekullinë që quhet Luan Jaupi.
Doktor Mirit i bëri mirë muzeu i improvizuar i Luanit, për të cilin jo pak është folur. E gjallëroi dhe e ushqeu me besim dhe optimizëm. Sistematik, i vullnetshëm, i saktë, energjik duke lëvizur e hulumtuar në çdo qelizë qytetin, Luan Jaupi është kthyer në një shembull. Botues librash, arkivues dhe fiksues i fotografisë, mjeshtër i aparatit, por edhe kujdestar dhe grumbullues i vlerave të sendeve të rralla, ky Jaup na bën nder dhe nxit nderet tona para të tjerëve.
Urimet më të mira shok dhe mik i madh! Mikpritja jote si zakonisht i kalon kufijtë. Por edhe puna jote është kristalizuar në opinionet tona. Ti je vlerë së pari qytetare Luan Jaupi, që ruan dhe konservon vlera dhe sende të rralla që janë histori dhe identitet.
Uroj me gjithë shpirt ta vazhdosh dhe zgjerosh kurajon, për të pasuruar muzeun e veçantë të sendeve me vlerë! Ndër to është edhe makina e shkrimit tip Oliveti, që mjeshtri dhe njeriu i madh Kreshnik Tartari, ma dhuroi në vitin 1994 kur nisa të botoj të përjavshmen sportive të Durrësit “Teuta Sport”. Në muzeun tënd ka edhe sende të tjera, të cilat janë pa çmim, pasi vlera e tyre ështe pamatë.
Një gotë verë, shumë miqësi. Një gotë verë dhe shumë kënaqësi. Një gotë verë dhe gëzimi është i pafund. Zoti të dhëntë fuqi dhe forcë, për ta vazhduar këtë mrekulli.
Je unikal në këtë linjë. Një vlerë njerëzore si ty Luan Jaupi, është e destinuar të grumbullojë të tilla vlera me rëndësi, duke i kanalizuar në të gjitha drejtimet.
Je mrekullia e jonë këtu!
Durrës: 9 shtator 2022