Nga Gladiola Jorbus
Ora blu, një grup emëror që e hasim si në poezi, ashtu edhe në fushën e teknikës fotografike për të përshkruar një moment të veçantë gjatë muzgut.
Në fotografi, ajo krijon një mjedis shumë të rafinuar, i cili lejon të arrihen efekte kontrastuese. Një situatë e tillë ndodh për shkak se në ato momente të veçanta, drita është e karakterizuar nga temperatura e freskët dhe energjia e ulët, e cila në terma praktikë përkthehet: shumë hije, ngjyra të ftohta (përveç se nën ndikimin e dritave artificiale) dhe një qiell i thellë blu.
Fotografitë e shkrepura gjatë kësaj orës mbeten mbresëlënëse; panorama, horizonte, momente, silueta.Fotografia flet dhe resht së qeni riprodhim.
Ora blu; pikërisht ekzistenca e këtij momenti të veçantë të ditës, kur drita e diellit, edhe pse është nën grahmat e fundit të jetës nuk i hap rrugë errësirës, ose agimi i mëngjesit nuk po bindet ende të grisë velin e natës; ky është momenti magjik, në të cilin peizazhi duket i mbështjellë dhe qëndron pezull, nën tisin e zbehtë dhe të kornizuar të një dimensioni ireal, ku gjithçka është e ngjyer me blu.
Kur dielli shfaqet në horizont dhe paralajmëron kalimin nga errësira në dritë, ose pas perëndimit të tij, në muzgun që i paraprin errësirës, pikërisht atëherë themi, se po ndodh ora blu.
Është një fenomen i habitshëm dhe emocionues kromatik: çdo gjë është e mbështjellë nga një dritë e butë, me hijëzime të kaltra e të jargavanta si mbrëmjet në romane apo të purpurta si buzët e një zemre që vuan; zgjat vetëm pak minuta, e shumta gjysmë ore, por përfaqëson një spektakël të rrallë natyror, pse jo të krahasueshëm me aurorat boreale.
Nga këndvështrimi teknik, ora blu paraqet kushtin primordial për nxjerrjen në pah të kundëvënieve kromatike, të cilat përndryshe, nuk do të ishin aq të dukshme. Por është gjithashtu një koncept i thellë, që shërben si kapërcyell i një ndjesie melankolie a limontie, por edhe një paralajmërues i shndritshëm i haresë.
Ora bluështë çasti i pakapshëm midis ëndrrave dhe zgjimit, në të cilin të gjithë mund të reflektojnë për atë që ka ndodhur dhe për atë që dëshirojnë të ndodhë. Ajo përfaqëson një hapësirë të brendshme të heshtjes dhe meditimit, në të cilën duhet të ndihesh me të vërtetë pjesë e së tërës, si dhe të ndjesh frymën vitale të universit. Kjo orë është ideja e skajshme se gjithçka po përfundon, ose gjithçka do të rifillojë.
Është fotografia dhe poezia, është e paqena dhe realiteti, është aq delikate sa përkëdheljet mëshiruese, dhe aq humane sa përndezja e shpresës.
Fotografët janë në dijeni të këtij fenomeni. Për ta, ora blu është një moment magjik, ideal për të përjetësuar imazhet e ëndërruara ose për të portretizuar arkitekturën urbane në mënyrë që të krijohet dallimi i duhur midis dritës natyrore dhe asaj artificiale të qytetit.
Dritëhijet e orës blu janë me të vërtetë të jashtëzakonshme, shpesh edhe më interesante se ato të perëndimit të diellit.
E kaltra e detit përkon me ngjyrën e qiellit, ndërsa në male, siluetat e majave dhe akujt e dëborës marrin konture tejet të këndshme.
Hijeshia e kohësisë blu qëndron në të qenit sakaq në një gjendje të pezullt, ku gjithçka ende duhet të fillojë dhe fjala e pamundur shkërmoqet. Natyra duket e palëvizshme midis errësirës dhe dritës, e pasigurtë nëse do të qëndrojë apo do të lëshohet në ditën e re.
Është një moment pritjeje, një flluskë kohe në të cilën edhe shpendët fluturojnë me ngurrim, pothuajse duke mbajtur frymën. Tashmë tingujt e zogjve të natës pushojnë, shkëndija e parë e agimit i fton të këndojnë këngë të reja. Parfumi i luleve arrin kundërmimin marramendës. Tensioni është i dukshëm, perceptimet janë dehëse, atmosfera gëlon në pezhishkën elektrizuese të orës blu…
Të gjitha qeniet prehen. Heshtja e gjithëpushtetshme mbizotëron kudo. Madje dhe vetë natyra duket sikur harron të marrë frymë. Dilemë: Bota në këto çaste jeton apo vdes ngadalë?!
Në këtë interval të tejngopur me frikë dhe shqetësime shpirtërore sfilitëse, nganjëherë demonët dhe dobësitë tona më të thella duket sikur nxjerrin kryet në sipërfaqe. Vallë është kjo koha e ëndrrave; hapësira e padukshme, ku marrin formë, figurat e çuditshme që pjell imagjinata jonë?!
Ora blu ndërton një urë lidhëse midis realitetit dhe fantazisë, duke iu dhënë jetë kështu zanave, kukudhëve, legjendave që mbitheksohen në këtë kufi, pikërisht në tranzicionin midis errësirës dhe dritës. Këto krijesa pluskojnë në ujërat e liqeneve dhe krehin flokët e Gërzhetës, zbresin nga kapelet e kërpudhave, fshihen ndër petale lulesh, vishen me prafullima zjarri, ecin nën gurë, vrapojnë midis fijeve të barit, rroken me tokën e qiellin dhe bëjnë kollotumba në degët e pemëve.
Realisht, fotografia nuk e shfaq dot këtë spektakël abstraksionist, por poetika e orës blu i përsiat dhe i portretizon në vargje. Dhe kështu, si me magji, gjatë orës blu, gjithçka duket e mundur.