Policia Bashkiake e Durrësit ka ndëshkuar me masë administrative 5 subjekte, të cilët kishin zënë hapësirat publike në mënyrë të paligjshme.

Në postimin e saj në rrjetet sociale, Policia Bashkiake fton qytetarët të denoncojnë çdo rast konstatimi të zënies së parkimeve publike me mjete rrethanore, pasi ankesa e tyre do të ndiqet nga efektivët e kësaj policie.

“Ky fenomen, jo vetëm që është i paligjshëm, por bëhet edhe burim konflikti ndërmjet drejtuesve të mjeteve që duan të parkojnë automjetin e tyre sipas sinjalistikës rrugore dhe këtyre personave/subjekteve të papërgjegjshëm që zaptojnë këto parkime.”, shkruhet ndër të tjera në postim.

Kujtojmë se kanë qenë edhe të shumta rastet ku bizneset edhe pasi i kanë liruar këto hapësirat publike pas njoftimit nga Policia Bashkiake, i kanë zaptuar sërish këto parkime pas pak ditësh.

Postimi i plotë:

Në ndjekje të ankesave të qytetarëve se në disa rrugë të qytetit persona dhe subjekte të ndryshme, në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me çdo etikë apo kulturë qytetare zënë me mjete rrethanore si: (konikë, zinxhirë, karrige, gurë, etj.) vendparkimet publike në rrugë apo në hapësira të tjera publike.

Ky fenomen, jo vetëm që është i paligjshëm, por bëhet edhe burim konflikti ndërmjet drejtuesve të mjeteve që duan të parkojnë automjetin e tyre sipas sinjalistikës rrugore dhe këtyre personave/subjekteve të papërgjegjshëm që zaptojnë këto parkime.

Shërbimet e Policisë Bashkiake po monitorojnë dhe kontrollojnë situatën në terren, si dhe do të merren masa administrative me gjobë deri në ndjekje penale për këdo që kryen veprime të tilla.

Gjatë këtyre ditëve janë ndëshkuar me masë administrative 5 subjekte.

Ftojmë të gjithë qytetarët në rast konstatimi të zënies së parkimeve publike me mjete rrethanore të njoftojnë menjëherë në sallën operative të Policisë Bashkiake në nr e tel +052232250, gjithashtu të shmangin konfliktet me abuzuesit.