Bashkia Durrës pritet të shpenzojë rreth 222 milionë lekë të vjetra për instalimin e ndriçimit LED në rrugën “Mars 91”, paralel me murin e portit.

Bashkia ka hapur tenderin ditën e sotme, ndërsa kompanitë e interesuara kanë afat deri më 11 prill të dorëzojnë dokumentacionin përkatës.

Ndriçimi i këtij aksi rrugor, një ndër më të rëndësishmit e Durrësit, do të bëhet përgjatë gjithë gjatësisë së tij, nga rrethrrotullimi i hyrjes së portit deri te mbikalimi te Ura e Dajlanit.

Në këtë rrugë me gjatësi 2000 metra do të vendosen 95 shtylla ndriçimi që do të kenë lartësinë 12.5 metra nga toka. Shtyllat do të jenë me dy krahë, tip “DIREKU”, me gjatësi totale 4.5 metra.

Pas shpalljes së kompanisë fituese dhe lidhjes së kontratës, punimet për vendosjen e sistemit të ndriçimit LED duhet të mbyllen brenda 40 ditësh.

Një ditë më parë, bashkia Durrës hapi një tjetër tender për ndriçimin LED të 4 rrugëve të qytetit, që janë “Shoqëria Bashkimi”, “Aleks Komeni”, “Kristaq Boshnjaku” dhe “Paskal Prodani”.