Nga BUJAR QESJA

Mëngjesin e 14 nëntorit 2021, Zina nuk hoqi dorë nga kafeja e fundit në tokën e tij. Në hapsirën time të gjelbëruar, erdhën dhe u ulën dy mjeshtra të përjetshëm të çiklizmit shqiptar, të çiklizmit durrsak, titull i cili u dopjua nga titulli i lartë “Mjeshtër i Madh”. Titulli u la me lëngun e artë të shpirtit gjithnjë aktiv të tre durrsakëve, të cilët nuk i ndau rinia dhe ky kapitull i parë i pleqërisë. Kemi të drejtë të gëzohemi, por edhe të shprehim pak edhe mërzitinë unë dhe Dash Rama, që Lut Zino do të na ikë sërish në Amerikë, tek puna dhe jetesa 15 vjeçare në këtë shtete frymëzues për shqiptarët.

Po të kishte mundësi Lut Zina edhe rrugën Durrës-Nju Jork do ta bënte me biçikletë. Edhe kur vinte nata, ky Zina i përbetuar i dyrrotakëve, kujdesej që biçikleta të pushonte nga lodhja, ndonëse vetë mund të mos vinte gjumë në sy. Isha në merak për rrugëtimin e gjatë ajror Rinas-Varshavë-Nju Jork të mjeshtrit. M’u duk si një pedalim ajror që nisi nga Adriatiku për të përfunduar në brigjet e Atlantikut. Fluturim ajror, por edhe fluturim ngazëllues për një titull fort të merituar. S’ka rëndësi koha se sa fakti i kryer. Avioni i së dielës në mesditë të 14 nëntorit 2021, kishte në bord edhe një “Mjeshtër të Madh”, një mjeshtër së pari si njeri, një mjeshtër në pasion dhe zell të jashtëzakonshëm për mjetin prej dy rrotash, një punëtor të jashtëzakonshëm, një zotni të vërtetë të përfaqësimit në atë destinacion ku do të ndalej.

Mbase ky shkrim nuk do të formulohej, nëse gjithçka do të përfundonte në atë tavolinën time, këtë sofër gjigande me erë të qytetarisë durrsake, ku kalojmë ditë malli dhe sentimenti, kur flasim për hallet e çastit, por edhe për atë jetë që kemi konsumuar, duke na ndriçuar drita e korrektesës, ndershmërisë dhe përkushtimit. As Lut Zina nuk e dinte, që një tjetër tavolinë, po aq e ngrohtë sa ajo që kishte lënë në Durrës po organizohej edhe në Nju Jork.

Në Bruklin ku banon Lut Zina, ka zona shqipfolëse, aq sa nuk dallon me vëndin e origjinës. Shokët dhe miqtë e Nju Jorkut, i kishin përgatitur Zinos së pari një tryezë shpirtërore, një tryezë zemre, ku kuptohej fare lehtë që titulli “Mjeshtër i Madh” nuk i takonte vetëm durrsakut të njohur. Lokali nr.1 Brooklyn NY është në pronësi të Damian me mbiemrin Shevroja dhe birit të tij Mario. Janë nga Elbasani dhe kanë hapur këtë biznes. Kur Lut Zino ishte ende në ajër, në atë fluturim kur bashkë me të ishte edhe relikja e çmuar “Mjeshtër i Madh”, në Bruklin bëhej fluturimi i një gëzim të pafre i shqiptarëve të këtushëm.

Kam në tavolinën time të punës një foto, që flet shumë. Sado ta qendis mendimin e ta latoj fjalën, zor se mund t’i ofrohem kënaqësisë së asaj tavoline. Pesë vetë shumë krahina. Shumë krahina dhe një Atdhe. Titulli “Mjeshtër i Madh”, lyer me gjakun e pasionit të pa cak të Lut Zinos dhe ngjyrosur sigurisht edhe me gjakun e dashurisë së shqiptarit me shqiptarin në tokë të huaj, ngjason me një busull që orjenton mirkuptimin dhe hapjen e krahëve njëri me tjetrin.

Komunikoj veçanërisht me Lut Zinon, por më fort me një emër të rrahur disi Aleksandër Miraj. 

Është djali i një intelektuali të njohur në Durrës, Fabian Miraj. Është vëllai 37 muaj më i vogël i mikeshës sonë Lida Miraj, duke mos harruar edhe bashkshortin e saj dhe vëllain tonë të paharruar Moikom Zeqo. Kërkoj informacion se cila është ajo tavolinë entuziste, ngrohtësia e së cilës vjen deri në sofrën time.

Paraprakisht po i bëj të njohur tani, sepse pas fundit të shkrimit do të bëj publikoj edhe diçiturën e plotësuar të fotos. Kemi aty mirditorë, elbasanas, dibranë nga Bulqiza, durrsakë, pogradecarë. Nuk janë pak, kur flitet për pesë vetë. Por ajo që më gëzon mbetet fakti, që kjo tavolinë është përfaqësuese e një tavolinë shumë e shumë më të gjërë, nëse do të ishin mundësitë. Janë kohë të mbrapshta, për t’i dhënë hapsirë të pafund këtij titulli, që nuk është aq i thjeshtë se një karton i palosur dhe një distiktiv i vendosur në katërkëndëshin e një kutie të vogël. 

Ky titull ka brenda çiklizmin durrsak, breza të tërë që kanë mundur të bëjnë më të mirën e tyre. Ka edhe mos harresën e atyre që nuk jetojnë. Lut Zina këtu është gjithpërfshirës. Madje në këtë titull ai kërkon të përfshijë edhe çiklistët e “Besës” së Kavajës që ju dha një traditë mburrëse. Kërkon të përfshijë para së gjithash edhe familjen e tij, Antonteën, Fluturën, Ilirin dhe Altin, duke kërcyer me këtë gëzim në prehërin e kënaqësisë së tyre.

Një tryezë e vogël shqiptare, për një titull të madh  si “Mjeshtër i Madh”. Luti fluturonte dhe ky fluturim është jeta e tij çiklistike, janë përpjekjet e mëdha të një sakrifice të pashoq, kur s’ka lënë pa prekur qoftë edhe një centimetër tokë të Atdheut të tij.

-Gëzuar Lut Zino! Vjen urimi njujorkez i shqiptarëve tanë të Amerikës.

Gëzuar ishte edhe urimi ynë nga Durrësi. Por ne jemi shumë këtu. Por gjithsesi ato atje dhe ne këtu, jemi një. Dhe brenda titullit “Mjeshtër i Madh” të Lush Zinas jemi të gjithë nga pak. Është çiklizmi shqiptar. Është çiklizmi i Durrësit i ngritur lart, shumë lart nga këta djem si Lut Zina dhe Dashamir Rama. Fantastikët tanë të pacënuar në mjeshtri dhe pasion.

Në Bruklin ka festë. Është festa jonë e përbashkët, për një dinjitet dhe për një traditë, që kërkon ridimensionimin e kohës. “Mjeshtri i Madh” i Zinas, provokoi një tjetër titull akoma edhe më të madh. Është shqiptarizma e jonë, që reagon në sinkron si këtu edhe atje.

Titulli “Mjeshtër i Madh” i Lush Zinas na bashkoi. Të tjera sihariqe do të presim. Dhe me siguri kështu do t’i festojmë.

S’ka më bukur! Gëzime paçim gjithnjë!

Në Bruklin festohet.

Durrës: 17 nëntor 2021 

Në pamje

Nga e majta: Petrit Kurçani, ish drejtor shkollë në Bulqizë (Dibër), Aleksandër Miraj inxhinjer telekom Durrës, Lush Zina Durrës, Përparim Seitllari mashinist – Pogradec, Halil Vata ish oficer nga Maculli i Mirditës.