Në orët e para të mëngjesit, zona të tëra të Durrësit kanë qenë në errësirë.

Sipas raportimeve të qytetarëve, hyrja e Durrësit, zona tek Pallati i Sportit, Muzeu i Dëshmorëve etj kanë qenë në errësirë të plotë.

Po sipas raportimeve, energjia elektrike është ndërprerë rreth orës 03.00 deri në 05.00.

Raportime për mungesë të energjisë elektrike ka edhe nga banorë të zonave periferike.

Siç duket edhe nga pamjet filmike, dritat e vetme në disa nga rrugët kryesore të qytetit janë ato të reklamave të bizneseve.

Nuk dihet nëse ndërprerja është shkaktuar nga moti i keq apo ndonjë avari.

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi krizë energjitike në vend, ndërsa ditën e sotme pritet të prezantojë planin e masave për mbrojtjen e konsumatorit nga rritja e çmimeve.