Erozioni që po gërryen kodrën po rrezikon dhjetëra banesa në zonën e Porto Romanos. 10 ditët e fundit situata është mjaft problematike, pasi rruga që përshkon këtë zonë ka çarje të konsiderueshme, ndërkohë që tek muret rrethuese dhe oborret e banesave, çarjet e tokës janë mjaft evidente. Banorët thonë se kanë njoftuar edhe njësinë administrative, por askush nga autoritetet nuk ka ardhur ta shohë nga afër situatën.

Banesat në këtë zonë janë të gjitha të legalizuara, por nëse rrëshqitja e tokës do të vijojë situata mund të kthehet dramatike. Efektet e erozionit dallohen qartë në shumë godina, të cilat kanë marrë tashmë dëmtime të pariparueshme.
Fenomeni vijon prej disa vitesh, por nëse nuk ndërhyhet nga autoritetet banorët rrezikojnë në rastin më të mirë të mbesin të izoluar nga dëmtimi i rrugës, dhe në rastin më të keq të ngelen pa shtëpi.
Pas kontaktit që “DurrësLajm” pati me institucionin e prefektit, na u komunikua se po njoftohen të gjitha instancat përkatëse mbi situatën kritike dhe në vijimësi do të vendoset mbi hapat që do të ndërmerren në terren.
M.B.





