20 kryetarë të komunave të Kosovës vizituan Kavajën, nën moton “Bashkë! Mbështetje, zhvillim dhe prosperitet”.

Të konsideruar gjithnjë si turistë besnikë të bregdetit shqiptar, fokusi i takimit me kryebashkiakun e qytetit ishte bashkëpunimi, që në bregdetin e Kavajës, shqiptarët e Kosovës të mund të bëjnë më shumë, sesa thjesht të kalojnë disa javë pushime.

“Sot pritëm kryetarët e komunave të Kosovës në një bisedim për të bashkëpunuar në fushën e turizmit, por jo vetëm. Kjo sepse përkrah marrëdhënieve vllazërore që kemi me kosovarët, kemi edhe marrëdhënie bashkëpunimi dhe biznesi“, tha Fisnik Qosja, kryetari i bashkisë Kavajë, ndërsa Jehona Lushaku, nënkryetarja e komunës së Prishtinës shtoi: “Ne do të bashkëpunojmë për të bërë projekte të përbashkëta në funksion të industrisë dhe bizneseve. Për kosovarët që të vijnë të investojnë këtu, por edhe që qytetarë të Kavajës të vijnë në kryeqytet në këtë rast.”

Pas takimit në pallatin e kulturës, 20 kryetarët dhe kreu i bashkisë Kavajë nderuan edhe dëshmorin e kombit, Indrit Carën, i cili më 31 mars 1999 dha jetën duke luftuar për çlirimin e Kosovës. 

“Kjo ngjarje historike na lidh edhe më shumë me Kavajën, jo vetëm për historinë e Malishevës, por për të gjithë, sepse heronjtë e kombit janë shtyllat kryesore mbi të cilat ndërtohet gjithçka“, tha kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

Dëshmori Indrit Cara do të ketë një monument gjigant në sheshin e qytetit, në mars të vitit të ardhshëm.

K.Gj.