Teuta e përgatitur për vendin e parë

DURRES, 14 mars 2013– Me 16 mars në Tiranë është planifikuar të zhvillohet, takimi mbarëkombëtar në mundjen e lirë për moshën U-20. Teuta e Durrësit është një ndër ekipet pjesmarrëse dhe që synon të dalë fituese ndaj rivaleve të saj. Këtë na e bën të ditur trajneri i Teutës Altin Kurti. Palestra e stërvitjes humbet qetësinë thuajse tërë ditën. Vlen të nënvizohet fakti, se Teuta ruan prej vitesh vendin e parë për të rriturit dhe se në grup moshat vazhdon të mbetet elitare.

Altin Kurti na njeh me punën serioze disa mujore që po zhvillohet me ekipin që drejton dhe se me 16 mars në Tiranë kërkojnë afirmime të reja. “Marrim pjesë me 8 mundësa në të 8 peshat konkuruese, shpjegon tekniku Kurti. Ndonëse secili nga mundësat e Teutës është në synime vetjake, ajo që ka rritur kompaktësinë është bindja për të nxjerrë ekipin në vendin e parë. Përfaqësues nga mundja maqedonase dhe kosovare, si dhe e shumë ekipeve të tjera shqiptare, janë shumë të fortë dhe që synojnë edhe ata të vendosen në pozicione sa më të mira në renditjen finale.” Por cilët janë protogonistët e Teutës, që shpejt shpresojnë të marrin medaljet e para për vitin 2013?

Eri Prizreni, nipi i mundësit të mirënjohur Sait Prizreni ndonëse debutant nuk heq dorë nga pretendimet. Konkurimi në peshën e parë 50 kg, ofron shanse për 14 vjeçarin e fortë të Teutës. Më tej është rradha e Haxhi Sinës të tregoj vlerat. Sina vjen me përvojën e krijuar me pjesmarrjen e tij në kampionatin europian dhe aktualisht është veshur me kostumin e kampionit në peshën 55 kg. Xhesian Menga nuk kërkon të lëshoj në peshën 60 kg. Pozicioni i nënkampionit pritet të ngacmojë edhe më lart. Një tjetër talent i mundjes durrsake, është 15 vjeçari Franc Azuni që është planifikuar të provoj aftësitë e tij në peshën 66 kg.

Franci është vazhdues i dinastisë Azuni në mundjen e lirë, ku para tij provuan në tapet fuqinë e muskujve të tyre dy vëllezërit Eltoni dhe Emiljani. Veç vendit të parë, nuk ngjit asnjë objektiv tjetër. Por para se të ndodh kjo, ai duhet të vendosë në favor të tij dyluftimin me shokun tjetër të ekipit Erion Stojanin. Altin Kurti tregon se, heqja e mundësisë së përfaqësimit të dy Teutave A dhe B nxit konkurencën që në fazën përgatitore. Nxënësi i shkollës së mesme sportive Bernardina Qerraxhia Denis Dinaj është nga Kukësi, por që përfaqëson Teutën në peshën 74 kg. Alternativa e vetme e tij është të vendosë fuqinë e forcës së tij në vendin e parë, objektiv të cilin lufton ta prekë edhe shoku i tij i ekipit Paris Karepi.

Ndonëse në moshë 15 vjeçare, Karepi i 84 kilogramëve pohon për një sukses të ndjeshëm në garat e 16 marsit. Teuta si asnjëherë tjetër më parë, plotëson më së miri edhe dy peshat e rënda. Në 96 kg në tapet do të dalë Marsid Beqaj dhe në 120 kg Altin Hyka. Altini së bashku me Haxhi Sinën janë aktualisht fitues në takimin e fundit mbarëkombëtar. Në Durrës janë përgatitur për trofe dhe kjo në konkurencë me homologë përtej kufijve të Shqipërisë. Dhe këtë punë të ngjeshur dhe sistematike e nxit dhe e organizon krahas Altin Kurtit edhe trajneri i ekipit përfaqësues, mjeshtri i njohur i tapetit Fuat Brahi. Mbarëkombëtari i tapetit po ofron. Dhe Teuta kërkon suksesin, duke rritur numurin e trofeve.

/Bujar Qesja,  Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/