Itali, 12 gusht 2014  – Në tre operacione të ndryshme policore, karabinierët italianë kanë vënë në pranga 8 shqiptarë të akuzuar si shpërndarës dhe transportues të lëndëve narkotike.

Goditja e grupit të kokainës

Financierët e qytetit të Varezes duke ndjekur një shpërndarës droge zbuluan një laborator kokaine në Milano. Në banesë u kapën 7,2 kg kokainë e pastër, me vlerë shitje me çmim pakice 500 000 euro, 1,5 kg. përzierës droge, presë për përpunim droge, materiale për ambalazhim si edhe një peshore preçizioni. Në banesën ku gjendej laboratori i drogës, u sekuestruan edhe 5 015 euro si edhe një pistoletë pa leje. U arrestuan 6 shtetas shqiptarë të moshave 40, 32, 30, 25 vjeç si dhe dy 21 vjeçarë. Të gjashtë shqiptarët u arrestuan në flagrancë dhe u dërguan në burgun San Vitore.

Heroinë

Finacierët e qytetit të Kremonës arrestuan një shqiptar me inicialet L.R. 34 vjeç, pa precedent penalë. Gjatë kontrollit të shtëpisë i gjetën në dollapin e dhomës së gjumit 9 pako me heroinë me peshë totale prej 4,5 kg. U sekuestrua edhe material për ambalazhimin e drogës. Në banesë u gjetën edhe 7 celularë me 7 karta të ndryshme SIM. Besohet se në këto celularë do të zbulohen informacione me rëndësi për hetimin e këtij trafiku droge. Pas arrestimit, L.R. u dërgua në burgun e Mantovës.

Marijuanë

Policia e Savonës arrestoi shtetasin shqiptar M.A., 34 vjeç, sepse poshtë sediljes së makinës i gjeti 4,1 kg. marijuanë të ambalazhuar në dy pako. M.A. është pronar i një firme të vogël ndërtimi, në vështirësi financiare për shkak të krizës. Ai, pas arrestimit, u dërgua në burgun e Savonës.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/