Drejtori i Ujësjellësit të Kurbinit, Alfred Prodani është vënë në pranga. Prodani, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar në Spanjë për vjedhje. Në vitin 2013, ndaj Prodanit, është lëshuar një urdhër arrest nga Gjykata Coura, në Spanjë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Coruna”, forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Interpol Tirana, kapën dhe arrestuan në qytetin e Laçit, me qëllim ekstradimi drejt Spanjës, shtetasin A. P., 41 vjeç, banues në Kurbin. Ky shtetas, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Coruna/Spanjë, në vitin 2013, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës”, njofton policia.
Në vitin 2019, lideri historik i PD, Sali Berisha, bëri publik denoncimin kundrejt Prodanit. Denoncuesi raportonte se drejtori i ujësjellësit të Kurbinit, së bashku me një person tjetër, ka marrë pjesë në grabitjen e shtëpisë së futbollistit të njohur, Karim Benzema.





