DURRËS, 12 shtator 2013 – Më së fundi, uniformat blu të qarkut bregdetar identifikojnë tre autorë të vrasjes më 8 qershor 2013, nga të cilët u vunë dy në pranga dhe i treti është “wanted”. Drejtoria e Policisë së Shtetit e qarkut të Durrësit njofton në një komunikatë për shtyp në pasditen e 11 shatorit se Seksioni Kundër Krimeve të Rënda ka vijuar punën hetimore në drejtim të zbardhjes së vrasjes së ndodhur më datë 8 shtator në fshatin Radë të bashkisë së Manzës. Ky hetim intensiv ka çuar drejt provave e fakteve, të cilat dokumentojnë përfshirjen e tre shtetasve në këtë ngjarje, thonë forcat ligj-zbatuese. Më 10 shtator, ora 20.00, u ndaluan për ngjarjen 2 shtetas si dhe u shpall në kërkim shtetasi i tretë. Konkretisht u ndaluan: A. Gj., 31 vjeç, banues në fshatin Manzë dhe B. H, 46 vjeç, banues në Xhafzotaj, i dënuar më parë. Ndërkohë u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. M., 33 vjeç, banues në qytezën e Kuçokut / Manza e Re, qendra administrative e bashkisë së Manzës (“Dyrrah”-u, nisur nga parimi i gazetarisë profesioniste ndërkombëtare, në rastin e personave jo-VIP, nuk publikon emrat e plotë të të ndaluarve, pa u përcaktuar fajësia apo pafajësia në formë të prerë nga gjykatat). Forcat e rendit thonë se u arrit të provohet se tre personat janë bashkautorë të dyshuar në vrasjen e 27-vjeçarit Festim Lama, banor i fshatit Hamallaj. Vrasja u realizua me armë zjarri rreth orës 22.00 të datës 8 shtator në fshatin Radë. Hetimi i kryer hedh dritë mbi faktin se kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur për motive të dobëta. Në cilësinë e provës materiale u arrit të sekuestrohet një armë zjarri, automatik model 56. Aktualisht vijon puna për kapjen e të kërkuarit. Materialet procedurale, të hartuara gjatë hetimit, iu përcollën Prokurorisë së Rrethit për veprat penale të vrasjes me dashje në bashkëpunim dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.

Info

Bashkia Manëz ka në përbërje fshatrat Manëz, Armath, Borç, Hamallaj fshat, Kameras, Kuçok, Radë, Shkallë (shih hartwn).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/